Presidenti rus, Vladimir Putin i premtoi Serbisë se do të vazhdojë t’i ofrojë gaz natyror me kushte të favorshme. Në një takim që pati me homologun serb Aleksandër Vuçiç në rezidencën e tij në Sochi në bregun e Detit të Zi, Putin tha se një kontratë e re furnizimi do të nënshkruhet së shpejti për të zëvendësuar kontratën aktuale që skadon në fund të vitit.

Vetë Vuçiç, tha pas takimit se gjashtë muajt e ardhshëm, çmimi i gazit rus për Serbinë do të mbetet i njëjtë, 270 Dollarë për një mijë metra kub.

Presidenti Putin i tha Presidentit serb se Rusia do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri Serbinë në procesin e zgjidhjes së problemeve me Kosovën.

Presidenti rus deklaroi se sa i përket Kosovës, pozita e Rusisë është ‘parimore’ dhe nuk nënshtrohet ndaj situatës aktuale politike.

Ne e përkrahim pozitën tuaj, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit me Kosovën dhe shpresoj që do të zgjidhet duke ju përshtatur interesave të të gjithë njerëzve që jetojnë atje”, tha Putin.

Nga ana e tij, Presidenti serb shprehu mirënjohje për përkrahjen e Rusisë në ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë.

Siç e dini tashmë, në rajonin tonë jemi dëshmitarë të shtimit të provokimeve dhe tensioneve, sidomos në territorin e Kosovës”, tha Vuçiç.

Serbia nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, pasi e konsideron pjesë të territorit të saj dhe e quan ‘Kosovë e Metohi’. As Rusia nuk e pranon Pavarësinë e Kosovës dhe voton kundër anëtarësimit të saj në OKB. Në këmbim të kësaj mbështetje, Serbia refuzon të imponojë sanksione ndaj Moskës, kërkesë kjo e Bashkimit Evropian.

Klan News