12 baza ushtarake në Perëndim, ministri rus i Mbrojtjes arsyetoi vendimin

Rusia do të krijojë 12 baza të reja ushtarake në perëndim të vendit, si përgjigje të kërkesës së Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.

Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu teksa bëri njoftimin tha se bazat e reja do të jenë në vend deri në fund të vitit. Ai e arsyetoi këtë vendim me faktin se ka patur një rritje të kërcënimeve ushtarake në kufijtë e Rusisë, duke fajësuar NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Finlanda dhe Suedia aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me NATO-n më 18 maj, duke hequr dorë nga statusi i tyre afatgjatë i neutralitetit mes shqetësimeve në rritje të sigurisë të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Por anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë po pengohet nga Turqia.Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi se e ka diskutuar këtë çështje me kryeministrin holandez dhe pret të flasë edhe me zyrtarë nga Britania e Madhe. Ai madje u shpreh se do të ketë diskutime dhe me Finlandën të shtunën.

Erdogan ka thënë më parë se delegacionet suedeze dhe finlandeze nuk duhet të marrin mundimin të vijnë në Ankara për ta bindur atë të pranojnë Helsinkin dhe Stokholmin në aleancë.

Klan News