Rusia kërkoi kufizime të forta të veprimtarisë së ShBA-së dhe NATO-s në vendet rreth saj për të ulur tensionet e fundit në kufijtë e Ukrainës.

Tensionet janë rritur kohët e fundit midis Rusisë dhe vendeve Perëndimore, që i frikësohen pushtimit të mundshëm të Ukrainës. Rusia e mohon këtë dhe kërkon garanci që Ukraina dhe vendet e tjera ish-sovjetike të mos anëtarësohen në NATO.

Moska kërkon bisedime urgjente me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Uashingtoni thotë se po i shqyrton këto propozime.

Duke iu përgjigjur kërkesave të Moskës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki u shpreh e prerë para gazetarëve:

“Nuk do të ketë asnjë bisedim me Rusinë për sigurinë e Europës pa aleatët europainë dhe partnerët. Ne nuk do të kompromentojmë parimet kryesore mbi të cilat është ndërtuar siguria evropiane, përfshirë këtu parimin që të gjitha vendet kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen dhe politikën e tyre të jashtme, pa ndërhyrje të jashtme”, shtoi ajo.

NATO-ja që u themelua për të mbrojtur Europën nga kërcënimet e ish-Bashkimit Sovjetik, ka dislokuar forca ushtarake në republikat baltike dhe në Poloni.

Zëvendësministri rus i Mbrojtjes Sergei Ryabkov tha se Rusia u ka dhënë ShBA-së dhe NATO-s dy projekt traktate.

Në propozimet e saj, Rusia parashtroi disa kërkesa radikale për ish-republikat sovjetike të cilat sipas Moskës nuk duhet që të dislokojnë trupa dhe armatime në zona që mund të konsiderohen si rrezik për Rusinë. Avionët bombardues dhe luftanijet nuk duhet të lejohen jashtë hapësirës ajrore kombëtare apo jashtë ujërave territoriale nga ku mund të ndërmarrin ndonjë sulm.

Këto propozime nënkuptojnë që NATO-ja të mos luajë asnjë rol në asnjë nga tre republikat balktike apo në Poloni. NATO-ja gjithashtu duhet të anulojë planet për anëtarësimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Klan News