Rusia parlajmëron se do të kundërpërgjigjet nëse Maqedonia anëtarësohet në NATO. Parlajmërimin e ka bërë ambasadori rus në Athinë, Andrej Masllov, siç citohet nga mediat greke.

Masllov tha:

“Jemi kundër antarësimit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në NATO. Nëse kjo ndodh, Rusia do të detyrohet të ndërmarrë kundërmasa”.

Diplomati rus nuk specifikoi se çfarë masash pritet të ndërmerren. Megjithatë, ai shprehu mbështetjen për marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës për emrin e ri të Maqedonisë.

“Për ne nuk ka asnjë dallim. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e ka shprehur qartë se nëse Shkupi dhe Athina bien dakord dhe nëse ka një marrëveshje konform Kushtetutës së Maqedonisë, ne sigurisht që do t’a njohim”,

u shpreh Masllov.

Rusia ka të drejtë Veto-je në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, çka mund t’a pengonte njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë me emrin e ri. Moska u shpreh kritike për mënyrën si u lexua rezultati i referendumit të 30 shtatorit, duke akuzuar perëndimin se ushtroi presion që rezultati të ishte pozitiv.

Tv Klan