Moska hedh poshtë zërat se Donald Trump dhe Vladimir Putin janë dakordësuar për ndarjen e Kosovës në  takimin e fundit që patën në Helsinki. Zëdhënësja e Ministrinë së Jashtme ruse Maria Zakharova i quajti spekulime që synojnë destabilizim të rajonit.

“Presidentët Putin dhe Trump nuk kanë diskutuar për asnjë plan për ndarjen e Kosovës. Këto janë lajme të rreme. Këto spekulime kanë për qëllim të vetëm të krijojnë konflikt mes serbëve dhe rusëve”.

Qëndrimi rus për çështjen e Kosovës nuk ka ndryshuar dhe mbi këtë bazë Zakharova shpjegon edhe propozimin për rishikimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur mbështetjen për çdo zgjidhje që pranohet nga pala serbe.

“Një nga elementët e qëndrimit tonë për këtë çështje është të marrim parasysh interesat kombëtare të popullit serb. Çfarëdo që është e pranueshme për popullin serb dhe për Serbinë si shtet lidhur me këtë çështje, do të trajtohet me respekt nga ana jonë”.

Në këtë mënyrë, diplomatja ruse le të kuptohet se në çështjen e Kosovës, Rusia mbështet vetëm Serbinë. Zakharova thekson se në qëndrimin e saj për këtë çështje bazohet tek rregullat ndërkombëtare dhe rezoluta 12-44 por edhe tek ruajtja e integritetit territorial të Serbisë.

Tv Klan