Ministria e Shëndetësisë: “Sputnik V” ka kaluar testet

Rusia ka hedhur për përdorim publik vaksinën e parë anti-covid. Lajmin e bëri të ditur Ministria ruse e Shëndetësisë të martën, e cila njoftoi se sasia e parë e vaksinës kundër COVID-19, “Sputnik V” e zhvilluar nga Qendra Gamaleya me seli në Moskë, ka kaluar të gjitha testet e nevojshme të cilësisë në laboratorë dhe është lëshuar në qarkullim civil dhe se dërgesat në rajonet ruse do të fillojnë në të ardhmen e afërt.

Ministria po ashtu tha se një fushatë masive për vaksinim kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi i ri, do të nisë muajin tjetër.

Pavarësisht nga mungesa e të dhënave publike, Rusia e miratoi vaksinën për përdorim të brendshëm më 11 Gusht.
Presidenti rus, Vladimir Putin, në një deklaratë të tijën lidhur me këtë çështje, nënvizoi se vaksina siguron “imunitet të qëndrueshëm”.

Por kjo ka ngritur shqetësime në mesin e disa shkencëtarëve, të cilët kanë thënë se Rusia po nxiton të nxjerrë vaksinën pa i kaluar testet rigoroze shkencore që kërkohen për ilaçe të tilla.

Qendra Gamaleya dhe kompania farmaceutike Binnopharm kanë filluar prodhimin e vaksinës më 15 Gusht. Autoritetet ruse kanë thënë se presin që brenda një viti të prodhohet numri i nevojshëm i vaksinave për të mbuluar gjithë popullsinë e Rusisë, ndërkohë që interes për vaksinën ruse ka shprehur India, e një sërë vendesh të tjera të prekura rëndë nga covid. Vetë Rusia ka regjistruar mbi 1 milion raste me koronavirus dhe afro 18,000 viktima.

Tv Klan