rusia-military

Një orë pasi njoftoi Shtetet e Bashkuara, Rusia ndërmorri ofensivën e parë ajrore në Siri. Avionët Sukoi Su-24 goditën qytetet Homs, Latakia dhe Hama. Por kush ishte në shenjestër të ofensivës së Moskës? Ndërhyrja ushtarake e miratuar nga Dhoma e Lartë e Parlamenti rus u bë pas kërkesës së Presidentit sirian, Bashar Al Asad për të goditur Shtetin Islamik. Por sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Karter tha se “faktet e para tregojnë se në shenjestër nuk kanë qënë zonat e kontrolluara nga ISIS”.

Ministria Ruse e Mbrojtjes foli për 20 fluturime mbi Siri dhe goditjen e tetë objektivëve të Shtetit Islamik, duke publikuar dhe videon e tyre. Nga ana tjetër, aktivistët e opozitës siriane thanë se “si pasojë e sulmeve ajrore humbën jetën 36 civilë, mes tyre edhe fëmijë”. Zonat e bombarduara nga avionët ruse, sipas tyre nuk janë nën kontrollin e ISIS apo luftëtarëve të lidhur me Al Kaedën. Duke folur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri tha se “SHBA është e gatshme të mirëpresë ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Siri, vetëm nëse drejtohet kundër ISIS – it dhe grupeve që janë të lidhur me Al Kaedën.

Nëse ka goditur grupe të tjerë, atëherë kjo do të përbëjë një shqetësim të madh për Uashingtonin, tha Kerri. Me herët, gjatë mbledhjes së Qeverisë, Presidenti rus, Vladimir Putin tha se sulmet ajrore në Siri janë të përkohshme dhe përfshijnë vetëm forcat ajrore, që i shkojnë në ndihmë ushtrisë siriane, në luftën e saj legjitime kundër grupeve terroriste. Sa i takon fatit të presidentit sirian, një nga pikat e tensionet mes Moskës dhe Uashingtonit, Putin tha se Bashar Al Asad është i gatshëm për kompromis me ata që e quajti “pjesa e shëndetshme e opozitës”.

Tv Klan