Komiteti Hetues i Rusisë hapi një rast penal kundër kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, duke e akuzuar atë për vjedhjen e qindra miliona rublave, të dhuruara për organizatën e tij anti-korrupsion.

Rasti tani ngre pyetjen nëse Navalny, i cili po rikuperohet në Gjermani pas helmimit me agjent nervor në muajin gusht, do të kthehet në Rusi, ku mund të përballet me burgosje, nëse gjendet fajtor.

Navalny i hodhi poshtë akuzat e fundit, duke i cilësuar si hakmarrje e qeverisë për të mbijetuarit e sulmit me helm dhe më pas ekspozimin e atyre që ishin përgjegjës për sulmin.

Navalny e cilësoi helmimin si atentat nga shërbimet e sigurimit të shtetit. “E kam thënë menjëherë: ata do të përpiqen të më burgosin sepse nuk kam vdekur dhe pastaj kam kërkuar vrasësit e mi”, tha Navalny.

Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, “është personalisht pas gjithçkaje”. “Ai është hajdut, i gatshëm t’i vrasë ata që nuk pranojnë të heshtin për vjedhjet e tij”, tha Navalny.

Navalny është bërë gjemb në vëmendjen e Kremlinit për shkak të hetimeve të tij të hollësishme të korrupsionit në nivele të larta të qeverisë. Ai është burgosur për periudha të shkurtra kohore në disa raste.

Videot e tij hulumtuese në Youtube kanë marrë miliona shikime dhe kanë ndikuar në rritjen e pakënaqësisë së publikut me Qeverinë ruse dhe partinë në pushtet, Rusia e Bashkuar./REL