Përmbledhje:

◾Forcat ruse kanë nisur një sulm të madh ushtarak në Ukrainë. Raportohet se ndaj qyteteve më të rëndësishme janë lëshuar raketa dhe janë dëgjuar shpërthime.

◾Njerëzit kanë nisur që të arratisen nga kryeqyteti Kiev. Një pjesë tjetër e banorëve janë strehuar në stacionet e metrove, të cilat janë shndërruar në bunkerë të improvizuar.

◾Si pasojë e sulmeve kanë humbur jetën mbi 10 civilë dhe më shumë se 40 ushtarë. Megjithatë të dhënat janë gjithmonë në përditësim dhe mund të ndryshojnë.

◾Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se përgjigja e Moskës do të jetë e menjëhershme nëse dikush do të përpiqet që të përballet me Rusinë. Putin i ka bërë thirrjeve ushtarëve ukrainas që të lëshojnë armët dhe të kthehen në shtëpitë e tyre.

◾Ministri i Jashtëm i Ukrainës ka reaguar menjëherë dhe ka akuzuar Rusinë për fillimin e luftës dhe ka nxitur Kombet e Bashkuara që të bëjnë gjithçka që është e mundur që ta ndalojnë atë.

◾Presidenti amerikan Joe Biden nga ana tjetër është zotuar se bota do ta mbajë Rusinë përgjegjëse duke parashikuar humbje të madhe jete nga kjo ngjarje.

◾Bashkimi Europian ka thënë se këto janë orët më të errëta të Europës që prej Luftës së II Botërore dhe se Rusia do të goditet nga “sanksione madhore”

◾Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se blloku qëndron me Ukrainën në këtë kohë të vështirë dhe se do të bëjë gjithçka që duhet që të mbrojë aleatët.

◾Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky në një fjalim adresuar kombit tha se ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë. Ai u kërkoi personave me eksperiencë ushtarake që t’i bashkohen mbrojtjes së vendit.

◾Forcat ruse kanë marrë nën kontroll Çernobilin pas luftimeve të ashpra me forcat ukrainase.

◾Në disa qytete në Rusi qytetarët dolën në protesta kundër luftës ndaj Ukrainës. Qindra prej tyre u arrestuan nga policia ruse.

◾Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë, bankave ruse dhe biznesmenëve e familjarëve të tyre të afërt me Presidentin Putin.

137 ushtarë të vrarë në ditën e parë të luftës Rusi-Ukrainë

137 ushtarë dhe qytetarë ukrainas u vranë në ditën e parë të luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Lajmi është bërë zyrtarisht i ditur nga zyra e Presidentit ukrainas.

Dhe beteja 20-orëshe kundër një shteti të fuqishëm tregoi se ata patën sukses”, tha Presidenti i Ukrainës, Zelenski, i cili shtoi gjithashtu se 316 persona janë plagosur.

Rusia nisi sulmin ndaj Ukrainës në 3 fronte; nga Veriu, Jugu dhe Lindja.

Presidenti nxjerr dekretin: Të mobilizohet e gjithë ushtria e Ukrainës

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski ka nxjerr pak para mesnatës një dekret ku urdhërohet që të mobilizohet e gjithë ushtria ukrainase.

Sipas këtij dekreti, urdhërohet që të mobilizohen të gjithë rekrutët dhe rezervistët në të gjitha rajonet e Ukrainës.

Ky vendim i Presidentit të Ukrainës vjen pas bombardimeve të Rusisë. Më herët, Ministria e Brendshme e Ukrainës ndaloi të gjithë burrat e moshave 18 deri në 60 vjeç që të largohen nga vendi.

Sipas inteligjencës amerikane, Rusia ka lëshuar gjatë të enjtes 160 raketa mbi Ukrainë. Më shumë se 50 persona janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur.

Nga të dhënat zyrtare, të paktën 100 mijë qytetarë ukrainas kanë kaluar kufirin dhe janë larguar nga vendi për shkak të sulmeve ruse. Ndërsa shumë të tjerë janë strehuar në metrotë e qyteteve të cilat shërbejnë edhe si strehë e sigurt ndaj bombardimeve të Rusisë. 

Regjisori dhe aktori amerikan në mes të luftës në Ukrainë

Regjisori dhe aktori amerikan Sean Penn ndodhet në Ukrainë në mes të luftës që po zhvillohet me Rusinë. Sipas Associated Press, aktori po punon në terren për një dokumentar rreth sulmeve të vazhdueshme nga Rusia ndaj Ukrainës.

Lajmin e ka bërë të ditur edhe Presidenti i Ukrainës, i cili tha se Penn ndodhet në Kiev dhe kishte biseduar me gazetarë dhe personel ushtarak.

Sean Penn demonstron guximin që u mungon shumë të tjerëve, veçanërisht politikanëve perëndimorë. Regjisori erdhi posaçërisht në Kiev që të filmonte ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë dhe për t’i treguar botës për pushtimin e vendit tonë nga Rusia”, thuhet në një reagim të zyrës së Presidencës së Ukrainës. 

Ukraina ndalon burrat e moshave 18 deri 60 vjeç që të largohen nga vendi

Ministria e Brendshme e Ukrainës ka ndaluar burrat e moshave 18 deri në 60 vjeç që të largohen nga vendi.

Sipas autoriteteve ukrainase, këta persona duhet të qëndrojnë në vend për të luftuar për Ukrainën.

Shumë qytetarë janë larguar nga vendi gjatë ditës së sotme pasi nisën sulmet ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës.

Nga të dhënat zyrtare, 100 mijë persona kanë kaluar nga Ukraina.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë së Ukrainës informon se 57 ukrainas janë vrarë si pasojë e sulmeve ruse,  ndërsa 169 të tjerë janë plagosur.

Zyrtari i lartë i mbrojtjes amerikane: Rusia ka lëshuar më shumë se 160 raketa

“Rusia ka lëshuar në total më shumë se 160 raketa për sulme ajrore”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.  

“Shumica e raketave janë “raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi”, por sulmet totale ajrore përfshijnë një “përzierje raketash”, u shpreh zyrtari.

Për momentin, zyrtari tha se SHBA nuk po sheh “një plan për agresion më thellë ose më tej në Perëndim”.

Alexei Navalny: Lufta përdoret për të mbuluar korrupsionin e Putinit

Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny, ka akuzuar Vladimir Putinin se ka përdorur pushtimin për të mbuluar korrupsionin ndërsa po gjykohej nga një burg në Moskë, raporton BBC News.

Në një video të publikuar nga gazeta e pavarur Dozhd, Navalny dëgjohet duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj pushtimit të Ukrainës. Veshur me uniformën e burgut, ai thotë se kjo do të çonte në një “numër të madh viktimash, të ardhme të shkatërruara dhe vazhdimin e kësaj linje varfërimi të qytetarëve të Rusisë”.

Kjo luftë midis Rusisë dhe Ukrainës u nis për të mbuluar vjedhjet që i janë bërë qytetarëve ruse, për të larguar vëmendjen e tyre nga problemet që ekzistojnë brenda vendit”, dëgjohet të thotë Alexei Navalny.

Navalny është burgosur për më shumë se një vit për akuza të vjetra mashtrimi, pasi i mbijetoi një sulmi me helm për të cilin ai dhe Perëndimi thonë se ishte kryer nga Kremlini. Ai po gjykohet brenda burgut të sigurisë maksimale për akuza të reja që mund të bëjnë që burgimi i tij të zgjatet me një dekadë.

Kryeministri kanadez dënon sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe shpall sanksione të reja

Kryeministri kanadez Justin Trudeau dënoi pushtimin rus të Ukrainës gjatë një konference të dhënë së fundmi dhe njoftoi një grup të ri sanksionesh. 

“Kanadaja është e qartë në dënimin tonë të sulmit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj shtetit sovran dhe demokratik të Ukrainës,” tha ai. “Mosrespektimi i Presidentit Putin për ligjin ndërkombëtar, demokracinë dhe jetën njerëzore është një kërcënim masiv për sigurinë dhe paqen në mbarë botën.” 

Trudeau u shpreh se Kandaja po vendos “sanksione të reja” që kanë si synim 58 individë dhe subjekte, duke përfshirë edhe antëarë të elitës dhe anëtarët e familjeve të tyre.

“Ne gjithashtu do të sanksionojmë anëtarët e Këshillit Rus të Sigurisë, duke përfshirë ministrin e mbrojtjes, ministrin e financave dhe ministrin e drejtësisë”, tha Trudeau. “Përveç kësaj,ne po i ndërpresim të gjitha lejet e eksportit për Rusinë dhe po anulojmë lejet ekzistuese. Këto sanksione janë të gjera. Ata do të imponojnë kosto të rënda për elitat bashkëpunëtore ruse dhe do të kufizojnë aftësinë e Presidentit Putin për të vazhduar financimin e këtij pushtimi të pajustifikuar.” 

Në fjalimin e tij, Trudeau i quajti gjithashtu veprimet e Putinit “kërcënimi më i madh për stabilitetin evropian që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe tha se ai ka qenë në kontakt me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.

“I thashë se ne po shpallim veprime të forta sot dhe vazhdojmë të qëndrojmë me të dhe me popullin ukrainas”, tha Trudeau. 

Më herët në mëngjes të së enjtes, Trudeau u takua me partnerët kanadezë të G7 për të koordinuar një përgjigje ndaj pushtimit. Ai tha se qeveria kanadeze po punon gjithashtu ngushtë me NATO-n dhe aleatët e tjerë. 

“Së bashku, ne e kemi bërë të qartë se dhuna, agresioni dhe shkelja e ligjit ndërkombëtar rus nuk do të mbeten pa u ndëshkuar,” tha Trudeau. “Ne qëndrojmë të bashkuar dhe të palëkundur në mbështetjen tonë për sovranitetin e Ukrainës dhe solidarizojmë me të drejtën e popullit ukrainas për të vendosur vetë të ardhmen e tyre në një shtet të lirë dhe demokratik.” 

Trudeau i bëri thirrje Putinit që të ndalojë të gjitha “veprimet armiqësore” kundër Ukrainës dhe të tërheqë të gjitha forcat ushtarake dhe përfaqësuese nga vendi.

Trupat ruse kanë marrë Çernobilin, ndërkombëtarët thirrje për kujdes nga objektet bërthamore

Trupat ruse kanë marrë kontrollin e Çernobilit në Ukrainë, ndërsa ndërkombëtarët bëjnë thirrje për kujdes maksimal në zonë për shkak të radioaktivitetit.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomatike kërkon përmbajtje maksimale për të mbrojtur objektet bërthamore në Ukrainë.

Thirrja për kujdes vjen pas lajmeve që forcat ruse morën kontrollin e Çernobilit. Deri tani në ish-objektin bërthamor nuk është raportuar për viktima apo shkatërrime.

Çernobili ndodhet në veri të Kievit dhe është pranë kufirit me Bjellorusinë, vendi ku në vitin 1986 shpërtheu reaktivi bërthamor. 

Pas sulmit në Ukrainë, Putin bisedë telefonike me Macron

Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti francez Macron kanë zhvilluar një bisedë telefonike mbrëmjen e së enjtes, pas sulmeve ushtarake që Rusia ka kryer ndaj Ukrainës.

Lajmi është bërë i ditur nga Kremlini, që ka sqaruar se diskutimi mes dy presidentëve ishte për operacionin ushtarak.

Putin dhe Macron patën një “shkëmbim serioz dhe të sinqertë të pikëpamjeve për situatën në Ukrainë. Vladimir Putin dha shpjegime të gjera përse u mor vendimi për të nisur një operacion special ushtarak”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.

SHBA hakmerret, dëbon diplomatin e Rusisë në ambasadën e Uashingtonit

Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar diplomatin rus të rangut të dytë në Uashington si hakmarrje për dëbimin rus të diplomatit numër 2 amerikan në Moskë në fillim të këtij muaji, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

Dëbimi nuk ka lidhje me pushtimin rus në Ukrainë dhe është pjesë e një mosmarrëveshjeje të gjatë midis Uashingtonit dhe Moskës mbi personelin e ambasadës. Megjithatë, kjo vjen pasi tensionet midis dy kryeqyteteve kanë arritur në kulm të pas Luftës së Ftohtë mbi Ukrainën.

Zyrtari tha se Departamenti i Shtetit kishte informuar Ambasadën Ruse të mërkurën se po dëbonte ministrin këshilltar Sergej Trepelkov, i cili aktualisht është numri 2 në misioni nën drejtimin e ambasadorit Anatoly Antonov. Rusia dëboi Zëvendës Shefin e Misionit të SHBA Bart Gorman nga Moska në mes të muajit Shkurtit.

Pavarësisht rënies së marrëdhënieve për situatën aktuale në Ukrainë, zyrtari tha se SHBA ende beson se është e rëndësishme të mbahen kontakte diplomatike “për të lehtësuar komunikimin midis qeverive tona”.

Biden thotë se Putin dëshiron të “rithemelojë ish-Bashkimin Sovjetik”

Presidenti i SHBA Joe Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin është i shkëputur nga pjesa tjetër e botës dhe dëshiron të ringjallë ish-Bashkimin Sovjetik.

“Ai ka ambicie shumë më të mëdha se Ukraina. Ai në fakt dëshiron të rivendosë ish-Bashkimin Sovjetik. Për këtë bëhet fjalë.”

Biden mbeti i palëkundur në qëndrimin e tij se sanksionet do të kenë efekt në agresionin rus pasi vendi sulmoi Ukrainën.

“Kjo do ta dobësojë vendin e tij. Ai do të duhet të bëjë një zgjedhje shumë, shumë të vështirë nëse do të vazhdojë të lëvizë drejt të qenit një fuqi e dorës së dytë apo në fakt, të përgjigjetNëse ne nuk lëvizim kundër tij tani me këto sanksione të rëndësishme, ai do të inkurajohet,” tha Biden.

Biden premton të kufizojë rritjen e çmimeve të gazit në SHBA si përgjigje ndaj agresionit rus

Presidenti Biden tha se teksa SHBA po përgjigjet përsa i përket sulmit rus ndaj Ukrainës, administrata po përdor çdo mjet që ka në dispozicion për të mbrojtur familjet dhe bizneset amerikane nga rritja e çmimeve të gazit.

“Ndërsa ne përgjigjemi, administrata ime po përdor çdo mjet që ne kemi në dispozicion për të mbrojtur familjet dhe bizneset amerikane nga rritja e çmimeve të gazit. Ne po ndërmarrim hapa aktivë për të ulur kostot. Kompanitë nuk duhet ta shfrytëzojnë këtë moment për të rritur çmimet”. tha ai.

Biden tha se zyrtarët po monitorojnë furnizimet me energji.

“Ne kemi qenë duke u koordinuar me vendet kryesore prodhuese dhe konsumuese të naftës në drejtim të interesit tonë të përbashkët për të siguruar furnizimet globale të energjisë”, u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, Biden tha se ai e di se çmimi i gazit tashmë janë rritur në SHBA.

“Unë e di se kjo është e vështirë dhe se amerikanët tashmë po lëndohen. Por ky agresion nuk mund të mbetet pa përgjigje. Nëse do të ndodhte, pasojat për Amerikën do të ishin shumë më të mëdha dhe të këqinja. Amerika i kundërvihet ngacmuesve. Ne ngrihemi për lirinë. Këta jemi ne”, tha ai./

Kërcënon Presidenti Biden: Putini zgjodhi luftën, tani ai dhe vendi i tij do të përballen me pasojat

Presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar pasoja të rënda ndaj Rusisë dhe Presidentit Vladimir Putin pas sulmit ushtarak në Ukrainë.

Në konferencë shtypi nga Shtëpia e Bardhë, Biden u shpreh se do të vendosen sanksione të forta ekonomike kundër Rusisë.

Putini është agresori. Putini zgjodhi luftën. Dhe tani ai dhe vendi i tij do të përballen me pasojat”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë duke deklaruar se sanksionet do të shkaktojnë kosto të rënda mbi ekonominë ruse.

Biden përsëriti se trupat amerikane nuk do të përfshihen në konfliktin e armatosur, por theksoi se trupat ushtarake do të zhvendosen në vendet aleate të NATO-s.

Forcat tona nuk do të përfshihen në konflikt. Forcat tona nuk do të shkojnë në Europë për të luftuar në Ukrainë, por do të mbrojnë aleatët tanë të NATO-s dhe do të përforcojnë aleatët që janë në Lindje”.

Biden e konsideroi sulmin e Rusisë një luftë të paramenduar dhe të planifikuar muaj më parë. Ai u shpreh se nuk prisnin që sanksionet e vendosura më herët ndaj Rusisë të ndalonin luftën.

I pyetur nga gazetarët nëse do të komunikojë me Presidentin rus, Biden u përgjigj: “Nuk kam në plan të flas me Putinin”

Boris Johnson vendos sanksione të tjera ndaj Rusisë

Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson ka vendosur sanksione të tjera ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Pasditen e sotme, Johnson deklaroi se aksionet e të gjitha bankave kryesore ruse do të jenë të ngrira dhe do të përjashtohen nga sistemi financiar i Britanisë.

Kompanitë e mëdha ruse do të kanë të pamundur të kryejnë transaksione në tregjet e Mbretërisë së Bashkuar. Linja ajrore Aeroflot do të ndalohet të kryejnë fluturime në Britaninë e Madhe. Gjithashtu, Mbretëria e Bashkuar do të ndalojë eksportet e produkteve të teknologjisë së lartë dhe pajisjeve të rafinerisë së naftës.

Johnson bëri të gjithashtu se mundësia për të përjashtuar Rusinë sistemi i pagesave “Sëift” është ende një opsion. Sanksione të ngjashme, Kryeministri britanik tha se do të aplikohen edhe për Bjellorusinë për shkak të rolit që ka patur në sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Pamjet kur magazina në Odesa shkatërrohet nga raketat ruse

Këto janë pamjet e kamerave të sigurisë kur një magazinë në qytetin Odesa në Ukrainë është sulmuar me raketa nga forcat ushtarake të Rusisë. Nuk ka raportime nëse nga ky sulm ka patur viktima apo të lënduar.

Rusia nisi sulmin ushtarak ndaj Ukrainës në orët e para të mëngjesit të së enjtes nga 3 fronte; Veriu, Jugu dhe Lindja.

Rusia ka synuar të sulmojë depot dhe bazat ushtarake me armatime të Ukrainës.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia është dënuar nga Perëndimi, duke vendosur sanksione ekonomike.

Nisin protestat në Rusi kundër pushtimit të Ukrainës (Video)

Ndërkohë që Rusia po sulmon ushtarakisht Ukrainën, në disa qytete ruse kanë nisur protestat kundër Presidentit rus Vladimir Putin.

Në Shën Petersburg qytetarët rusë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër luftës që Rusia po bën ndaj Ukrainës.

Forcat policore ruse tentuan të ndalonin protestat, megjithatë revolta e qytetarëve rusë ka vazhduar.

Mediat e huaja kanë publikuar edhe pamje të protestave që kanë nisur në Rusi kundër pushtimit të Ukrainës.

Rusia sulmoi ushtarakisht Ukrainën në orët e para të mëngjesit të së enjtes duke goditur nga 3 fronte; Lindja, Veriu dhe Jugu.

Udhëheqësit e G7 dënojnë Putinin për sulmin ndaj Ukrainës: Ai e ka vënë veten në anën e gabuar të historisë

Në një deklaratë të përbashkët pas një takimi virtual ditën e sotme, udhëheqësit e G7 thanë se presidenti rus Vladimir Putin ka “rifutur luftën në kontinentin evropian”.

“Ai e ka vënë veten në anën e gabuar të histories. Ne dënojmë Presidentin Putin për refuzimin e tij të vazhdueshëm për t’u përfshirë në një proces diplomatik për të adresuar çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë evropiane, pavarësisht ofertave tona të përsëritura”, thuhet në deklaratë. “Ne qëndrojmë të bashkuar me partnerët, duke përfshirë NATO-n, BE-në dhe vendet e tyre anëtare, si dhe Ukrainën dhe mbetemi të vendosur për të bërë atë që është e nevojshme për të ruajtur integritetin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.”

Pjesëmarrës në takim, sipas Shtëpisë së Bardhë, ishin Presidenti Biden, kancelari Olaf Scholz i Gjermanisë, kryeministri Justin Trudeau i Kanadasë, Presidenti Emmanuel Macron i Francës, Kryeministri Mario Draghi i Italisë, Kryeministri Kishida Fumio i Japonisë, Kryeministri Boris Johnson të Mbretërisë së Bashkuar, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg./

Mbërrijnë në Moldavi ukrainasit e parë që ikën nga lufta

Mijëra refugjatë ukrainas janë nisur drejt Moldavisë ku qeveria ngriti tenda dhe u zotua të mbajë kufijtë e saj të hapur për të ndihmuar.

“Qytetarët e parë ukrainas mbërrijnë në Moldavi”, shkroi presidentja e Moldavisë, Maia Sandu në Twitter.

Ajo shtoi: Qeveria ka vendosur qendra të përkohshme vendosjeje pranë Palanca dhe Ocnița. Kufijtë tanë janë të hapur për qytetarët ukrainas që kanë nevojë për lëvizje tranzitore ose qëndrim të sigurt.

Fotot e postuara nga Sandu duket se tregojnë tenda në një fushë të hapur ku do të qëndrojnë ukrainasit që kanë ikur nga lufta.

Kiev vendos shtetrrethim në mbarë qytetin

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitschko ka shpallur një shtetrrethim në mbarë qytetin.

“Miq! Kyiv do të jetë në shtetrrethim që do të jetë në fuqi nga ora 22:00 deri në 07:00,” tha ai. Është e nevojshme për sigurinë e banorëve të kryeqytetit në mes të agresionit ushtarak”, shtoi Klitschko.

Ndërsa transporti publik nuk do të jetë i disponueshëm gjatë orës policore, stacionet e metrosë do të mbeten të hapura për t’u përdorur si strehimore.

Kremlini: E vendos Putin se kur do të ndalojë sulmi ndaj Ukrainës

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka caktuar objektiva për sulmin ushtarak kundër Ukrainës dhe do të jetë ai që do të vendosë se kur do të përfundojë operacioni, bazuar në rezultate dhe pritshmëri, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Operacioni ka qëllimet e veta dhe duhet të arrihen, tha Peskov kur u pyet nga gazetarët se kur do të ndalojë sulmi ushtarak, raporton RT.

Rusia është e vendosur që të neutralizojë potencialin ushtarak ukrainas, i cili është rritur në mënyrë të konsiderueshme kohët e fundit, kjo për shkak edhe të ndihmës së shteteve të tjera”, vijoi Peskov, duke shtuar se “Ukraina duhet të pastrohet nga ideologjia neo-naziste”.

Por zëdhënësi i Kremlinit hodhi poshtë teorinë se Rusia po pushton Ukrainën, duke thënë se operacioni i trupave ruse ka synime të kufizuara për të mbrojtur Rusinë dhe rajonet separatiste pro-ruse në Ukrainën Lindore. Ai u shpreh se e ardhmja e Ukrainës do të përcaktohet nga populli ukrainas.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës mëngjesin e së enjtes. Putin tha se kishte urdhëruar trupat ruse të sulmonin Ukrainën për të çmilitarizuar vendin.

Putin tha më tej se Rusia ishte e detyruar të mbronte rajonet separatiste të Donetsk dhe Luhansk. Moska i njohu si të pavarura këto dy rajone në Ukrainën Lindore.  Sulmet e Rusisë kanë shkatërruar disa depo ushtarake kudo nëpër territorin e Ukrainës.

Një shpërthim i madh në bazën ajrore të Ukrainës Melitopol

Prestigjiozia CNN ka verifikuar pamjet që qarkullojnë në mediat sociale të një shpërthimi në bazën ajrore Melitopol në Ukrainën juglindore.

Videot filluan të qarkullojnë në mesditë dhe tregojnë një shtëllungë të madhe tymi pranë aeroportit, qw ndiqet nga një zhurmë e fortë që tund kamerën.

Deputetja ukrainase: Kemi nevojë për mbështetjen maksimale nga të gjithë aleatët perëndimorë

“Unë as në ëndrrat e mia më të këqija nuk mund ta imagjinoja një situatë të tillë”, u shpreh deputetja ukrainase Lesia Vasylenko.

Ajo thotë se është “surreale që ne duhet ta dëshmojmë këtë në mes të Evropës në shekullin 21”, duke shtuar “është e padrejtë dhe është e qartë tanimë se është një pushtim, një sulm ndaj Ukrainës”. Vasylenko thotë se për momentin Ukraina po bën gjithçka që mundet.

“Ne po luftojmë me gjithçka që kemi”, thotë ajo.

Por ajo shton gjithashtu se ka frikë se kjo nuk do të jetë e mjaftueshme, duke shtuar se “kanë nevojë për mbështetjen maksimale nga të gjithë aleatët perëndimorë”.

Ajo thotë se ata duhet të bashkohen “për të mbështetur Ukrainën, jo vetëm me sanksione më të forta, por edhe me praninë ushtarake këtu në terren”.

Ambasadorja Kim bisedon me Ramën dhe Xhaçkën për pushtimin e Ukrainës nga Rusia

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka biseduar sot me Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Jashtme Olta Xhaçka pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Në njoftimin e ambasadës amerikane thuhet se Shqipëria dhe SHBA së bashku me shtetet e tjera do të marrin masa për të dënuar veprimet e Rusisë.

“Ambasadorja Yuri Kim bisedoi sot me Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Jashtme Olta Xhaçka mbi pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikueshëm të Ukrainës nga Rusia. SHBA dhe Shqipëria bashkohen me të tjerë në mbarë botën për të dënuar veprimet e Rusisë në kuptimin më të fortë të mundshëm”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.

Luftimet shpërthejnë pranë centralit bërthamor të Çernobilit

Forcat ruse kanë hyrë në Çernobil dhe atje po zhvillohen luftime intensive për të mbrojtur centralin bërthamor, tha Ministria e Brendshme e Ukrainës. Luftimet mund të kenë shkatërruar një strukturë të depozitimit të mbetjeve bërthamore, sipas një këshilltari të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.

Ushtarët rusë kanë hyrë në zonën përreth ish-centralit bërthamor në Çernobil, ka thënë presidenti i Ukrainës. Volodymyr Zelensky konfirmoi se trupat ukrainase po luftonin kundër ushtrisë ruse, e cila kishte arritur në zonë nga drejtimi i Bjellorusisë.

“Forcat pushtuese ruse po përpiqen të kapin termocentralin bërthamor të Çernobilit. Mbrojtësit tanë po japin jetën e tyre që tragjedia e vitit 1986 të mos përsëritet”, tha Zelensky.

Ky zhvillim vjen disa orë pasi presidenti rus Putin urdhëroi një pushtim të plotë të Ukrainës.

Macron: Mbështesim Ukrainën pa hezitim, Rusisë do t’i përgjigjemi me vendosmëri

Presidenti i Francës Emmanuel Macro thotë se vendi i tij do të godasë Rusinë me sanksione të forta pas pushtimit që nisi ndaj Ukrainës.

Në një deklaratë për mediat, Macron u shpreh se Rusia do të përballet me sanksione të ashpra që do të godasin ushtrinë, ekonominë dhe sektorin energjetik. “Do të mbështesim pa hezitim Ukrainën dhe do të marrim përgjegjësitë tona për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e aleatëve tanë europianë. Ngjarjet e natës së kaluar shënojnë pikë kthese në historinë e Europës. Këtij akti lufte do t’i përgjigjemi me qetësi, vendosmëri dhe unitet”, tha Presidenti francez Macron në një fjalim televiziv drejtuar kombit të tij.

Ukrainasit radhë në banka për të tërhequr para

Banka qendrore e Ukrainës ka pezulluar tërheqjet e valutës së huaj dhe ka reduktuar sasinë e parave të gatshme në monedhën vendase që qytetarët mund të tërheqin nga ATM-të, me pushtimin e Rusisë që ka shkaktuar likuidime të mëdha asetesh.

Masat u zbatuan ndërsa qytetarët krijuan radhë për të tërhequr para, për të furnizuar me ujë dhe ushqime në Kiev dhe qytete të tjera pas sulmit në shkallë të gjerë rus në Ukrainë nga toka, ajri dhe deti, sulmi më i madh nga një vend në tjetrin në Europë pas Luftës Botërore II.

Disa obligacione të qeverisë ukrainase me një monedhë referencë të Dollarit ranë më shumë se 30 cent, ndërsa banka qendrore njoftoi se vendosi kursin zyrtar të këmbimit të Hryvnia. Hryvnia, e cila ka qenë pothuajse dyshifrore që nga fillimi i vitit, ra pothuajse 3% dje në 29.79 kundrejt Dollarit, niveli i saj më i dobët që nga fillimi i 2015.

Likuidime të mëdha janë regjistruar në asete në të gjitha ish-republikat sovjetike, nga Bjellorusia në Ukrainë dhe vetë Rusia.

Banka qendrore ndaloi gjithashtu transaksionet ndërkufitare të këmbimit valutor si dhe tërheqjet e parave në valutë të huaj, ndërkohë që pezulloi blerjet e këmbimit valutor në tregun ndërbankar. Guvernatori Kirillo Shevchenko njoftoi se banka kishte reduktuar tërheqjet ditore në monedhën vendase në 100,000 Hryvnia (3,356,67 Dollarë).

Transaksionet në të gjitha letrat me vlerë, me përjashtim të bankës qendrore dhe Ministrisë së Financave, janë pezulluar gjithashtu përkohësisht, sipas Komisionit Helen të Tregut të Kapitalit, në përpjekje për të parandaluar luhatjet e mëtejshme të çmimeve.

Ministri i Jashtëm Rus: Perëndimi nuk respekton ligjin ndërkombëtar

Ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov është shprehur se Rusia do të jetë gjithmonë e gatshme për dialog, pavarësisht se forcat ruse kanë nisur një sulm të madh ushtarak në Ukrainë.

“Fatkeqësisht, miqtë tanë perëndimorë nuk e respektojnë ligjin ndërkombëtar, duke u përpjekur ta shkatërrojnë atë dhe të promovojnë atë që ata e quajnë ‘rend të bazuar në rregulla’”, thotë Lavrov, raporton agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti.

“Ne patëm diskutime intensive dhe të detajuara me kolegët tanë amerikanë, me anëtarë të tjerë të NATO-s. Shpresojmë se ka ende një shans për t’iu kthyer ligjit ndërkombëtar dhe detyrimeve ndërkombëtare”, është shprehur Lavrov.

Ministri i Jashtëm Rus thotë se Rusia “do të jetë gjithmonë e gatshme për një dialog”.

Qytetarët ukrainas mes ankthit, trishtimit dhe pasigurisë

Tronditje, tmerr dhe hutim janë këto fjalët që përshkruajnë situatën në Ukrainë.

Në kryeqytetin Kiev akset kyçe rrugore u bllokuan teksa qytetarët u përpoqën të largoheshin nga qyteti me automjetet e tyre pasi forcat ruse nisën sulmin ushtarak ndaj Ukrainës.

Një pasagjere që përpiqet  të largohet nga aeroporti i Kievit thotë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se fluturimet janë anuluar për shkak të luftës dhe se atyre nuk u ishte dhënë asnjë informacion për t’u larguar nga vendi.

Askush nuk po na ndihmon tani.  Askush nuk po na tregon se çfarë ndodhi, çfarë do të ndodhë me fluturimin tonë, çfarë duhet të bëjmë, ku të shkojmë. Askush nuk po përgjigjet, ne nuk dimë çfarë të bëjmë“.

Ndërsa në Ukrainën lindore ka tension, pasiguri dhe frikë. Në disa fytyra dallohet edhe tronditje. Për Alexander Bazhanov, një banor i Ukrainës Lindore  i cili iku nga shtëpia e tij së bashku me gruan dhe fëmijën e tij të vogël, thotë se ishte një koleg që e informoi se lufta kishte filluar.

“Në orën 5 më thirri një koleg dhe më tha ‘Lufta filloi’. Dhe vendosëm të merrnim të gjitha gjërat tona dhe të vinim këtu”.

Ndërkohë, një video e ushtarit ukrainas ka prekur zemrat e të gjithëve, ndërsa ai përshëndet prindërit. Frika e vdekjes është e pranishme, ndërsa ai nuk e di se çfarë do të ndodhë me jetën e tij. “Mami, babi, ju dua”, thotë ai.

Diku tjetër, banorët kërkuan strehim në stacionet e autobusëve. Pavarësisht shqetësimit të dukshëm , qeveria e Ukrainës po bën thirrje për qetësi dhe u ka kërkuar mediave dhe qytetarëve ukrainas që të kontrollojnë të gjitha informacionet që marrin përpara se ta ndajnë atë duke paralajmëruar se lajmet e rreme janë një nga kërcënimet më të mëdha për vendin.

Ekonomia ruse, goditje historike

Sulmi ndaj Ukrainës i ka shkaktuar Rusisë rënien më të madhe të aksioneve në histori. Mediat ndërkombëtare raportojnë se në Londër aksionet ruse kanë rënë deri në 70% menjëherë pas agresionit rus.

Përveç problemeve që ka shkaktuar në tregjet e botës, kjo krizë ka shkaktuar edhe një katastrofë për vetë Rusinë në tregun valutor.

Rubla ruse ka rënë gati 10% vetëm gjatë paraditës së 24 Shkurtit, duke arritur kështu nivelin më të ulët të të gjitha kohërave kundrejt Dollarit dhe Euros. Kjo ka bërë që Banka Qendrore ruse të reagojë dhe të njoftojë se do të fillojë mbështetjen e tregut, gjë që s’kishte ndodhur që nga viti 2014.

Ndërkohë pasi ishin pezulluar kalkulimet e bursës ruse, procesi ka rifilluar dhe është parë që stoqet ruse janë në rënie të lirë deri në 45%, duke shkaktuar humbje 75 miliardë Dollarë. Kjo është rënia më e madhe në historinë e Rusisë, ndërsa rekordi i mëparshëm negativ u vendos më 28 Mëntor 1997 me një minus njëditor prej 20.8%.

Ndërkohë SHBA-ja dhe shtetet e BE-së i kanë vendosur sanksione të mëdha ekonomike dhe politike Rusisë, si rezultat i agresionit dhe luftës kundër Ukrainës.

Forcat ruse sulmojnë spitalin në Donetsk, të paktën 4 të vrarë

Autoritetet në Ukrainë raportojnë për viktima të tjera nga sulmet ruse në rajonin e Donetsk, në lindje të Ukrainës.

Të paktën 4 persona raportohet se mbetën të vrarë nga sulmi në një spital, thonë autoritetet lokale ukrainase. Forcat separatiste të mbështetura nga Rusia luftojnë me forcat qeveritare ukrainase në Donetsk që prej 2014-s, megjithatë dhuna është intensifikuar përgjatë ditëve të fundit.

Ndërkohë në fotot e publikuara nga mediat ndërkombëtare, shihen mjetet ushtarake ruse që patrullojnë në rrugët e Armyansk, në Krime.

Kina refuzon të dënojë pushtimin rus të Ukrainës

Kina refuzoi të dënojë sulmin e Rusisë në Ukrainë, duke iu bërë thirrje palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe duke akuzuar SHBA-në se po i hedh benzinë zjarrit.

Ju po përdorni një metodë tipike të pyetjeve të medias perëndimore për përdorimin e fjalës ‘pushtim’. Kina po monitoron nga afër situatën e fundit. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të vetëpërmbahen për të mos lejuar që situata të dalë jashtë kontrollit”.

Në një deklaratë për shtyp nga Ministria e Jashtme, zëdhënësja e këtij institucioni Hua Chunying iu shmang pyetjeve të gazetarëve për veprimet e Rusisë në Ukrainë.

“Ne besojmë se në situatën aktuale, të gjitha palët duhet të përmbahen dhe të qetësojnë situatën përmes dialogut dhe konsultimeve. Pasojat mund të parandalohen vetëm nëse situata stabilizohet.  Gjithashtu dua të theksoj, siç e kanë parë të gjithë, se bota nuk është në paqe për momentin dhe se ka mjaft rrethana shqetësuese”.

E pyetur nëse Putini i kishte thënë Kinës se ai po planifikonte të pushtonte Ukrainën, Hua tha se Rusia, si një fuqi e pavarur, nuk kishte nevojë të kërkonte pëlqimin e Kinës. Për Kinën çështja e Ukrainës ka një histori “komplekse”. Ajo i  quan kërkesat e sigurisë nga Rusia të drejta.

Kombet e Bashkuara përshpejtojnë veprimet për refugjatët në Ukrainë dhe vendet fqinje

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët po përshpejton operacionet dhe kapacitetin në Ukrainë dhe vendet fqinje, teksa ukrainasit po largohen nga vendi, tha Komisioneri i Lartë për Refugjatët Filippo Grandi në një deklaratë.

Jemi tmerrësisht  të shqetësuar për situatën e përshkallëzuar dhe aksionin ushtarak në Ukrainë. UNHCR po bashkëpunon gjithashtu me qeveritë në vendet fqinje duke iu kërkuar të mbajnë kufijtë të hapur për ata që kërkojnë mbrojtje dhe siguri. Ne jemi të gatshëm për të mbështetur përpjekjet e të gjithëve në përgjigje të ndonjë situate apo zhvendosjeje të detyruar”, tha ai.

Rusia synon të zaptojë dhe të kontrollojë një pjesë të madhe të Ukrainës, besojnë zyrtarët perëndimorë

Rusia synon të zaptojë dhe të kontrollojë një pjesë të madhe të Ukrainës, sipas zyrtarëve perëndimorë.

Sipas tyre, forcat e Vladimir Putin po përdorin sulme precize ushtarake, sulme ajrore dhe manovra tokësore për të kaluar kufirin Ukrainas nga drejtime të ndryshme, përfshirë nga zona e rajonit të Donbas, Krimesë dhe Bjellorusisë.

Teksa zyrtarët perëndimorë thonë se për momentin është e paqartë nëse marrja nën kontroll e gjithë shtetit ishte objektivi imediat i forcave ruse, ata thanë se lëvizjet e deritanishme të forcave ruse tregojnë se target janë Kievi, Odessa, Mariupol dhe zonat separatiste.

Biden thërret Këshillin e Sigurisë

Mëngjesin e së enjtes, presidenti i SHBA-së, Joe Biden mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Dhomën e Situatave për të diskutuar zhvillimet më të fundit në Ukrainë, është shprehur një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Sipas CNN, zyrtarë të lartë të sigurisë vendore hynë në rezidencën presidenciale këtë mëngjes. Mes tyre përfshihen këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan, Sekretarja e Thesarit Janet Yellen, gjenerali drejtues i stafit, Mark Milley, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, drejtori i CIA-s Bill Burns dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris.

Biden, i cili u betua se “Rusia do të mbajë përgjegjësi” për sulmin drejt Ukrainës, do të deklarojë një sërë sanksionesh, që dikur mendoheshin për të penguar një ngjarje të tillë.

Sanksionet që do të bëhen të ditura nga kreu i Shtëpisë së Bardhë parashikojnë përjashtimin e Rusisë nga teknologjia e avancuar, shtrëngime në institucione të mëdha financiare si dhe sanksione për rrethin e afërt të presidentit rus, Vladimir Putin.

Lëshohen 4 raketa balistike nga Bellorusia

Mediat ndërkombëtare, duke cituar ushtrinë ukrainase shkruajnë se të paktën 4 raketa balistike janë lëshuar nga territori bjellorus. Raketat mësohet se u lëshuan në drejtimin jugperëndimor.

Bjellorusia është aleat i Rusisë dhe ka qenë pjesë e stërvitjeve të përbashkëta me forcat ruse, disa ditë përpara pushimit.

Ndërkohë, BE i bëri thirrje Bjellorusisë që të mos marrë pjesë në sulmet ruse në Ukrainës.

“Duhet të vendosni për të mos ndjekur sjellje destruktive ruse. Duhet të vendosni që të mos merrni pjesë në këtë tragjedi të panevojshme kundër fqinjëve tuaj në Ukrainë”, tha Charles Michel nga Brukseli.

Von Der Leyen: Sanksionet e BE do të gërryejnë ekonominë ruse

Bashkimi Europian do ta bëjë sa më të vështirë të jetë e veprimet agresive ruse në Ukrainë. Paralajmërimi erdhi nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Duke folur në një konferencë të përbashkët me kreun e NATO-s, Stoltenberg dhe kreun e Këshillit Europian, Charles Michel në Bruksel, von der Leyen tha se BE “do ta bëjë përgjegjëse Rusinë për këtë dhunim flagrant të sovranitetit të Ukrainës dhe integritetit të saj territorial”.

BE pritet të vendosë sanksione të rënda ndaj Rusisë gjatë ditës së sotme. Ato do të përfshijë “sanksione financiare që kufizojnë ashpër aksesin e Rusisë në tregjet e kapitalit” dhe “shtypin rritjen ekonomike të Rusisë”, theksoi von der Leyen.

“Masat tona do të dobësojnë pozicionin teknologjik të Rusisë në fushat kryesore, nga të cilat elita fiton pjesën më të madhe të parave të saj. Dhe kjo varion nga komponentët e teknologjisë së lartë deri te software-i më i avancuar. Kjo gjithashtu do të degradojë seriozisht ekonominë ruse në të gjitha fushat në të ardhmen,” tha ajo.

Rusia, 203 sulme deri më tani në Ukrainë

Rusia ka ndërmarrë 203 sulme që prej nisjes së ditës së sotme. Ky njoftim vjen nga shërbime kombëtare të policisë së Ukrainës. Në një deklaratë thuhej se luftimet janë shtrirë pothuajse në të gjithë territorin.

Ditën e sotme ka pasur raportime të shumta për bombardime dhe shpërthime, ndërsa flitet se trupat ukrainase po luftojnë me rusët në kufi. Komandanti i përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se trupat e tij po luftojnë për kontrollin e aeroportit Hostomel në rajonin e Kievit.

Trupat e kufirit janë duke luftuar në lindje të qytetit Sumy. Në lindje të Ukrainës disa trupa ruse janë marrë të burgosur pas luftimeve të ashpra. Këtë të fundit  e lajmëron vetë zv/ministri i Mbrojtjes së Ukrainës.

Erdoğan: Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është i papranueshëm

Recep Tayyip Erdoğan ka zhvilluar takimin e sigurisë ku është trajtuar intervenimi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës.

Në takim është theksuar se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, i cili ka shfuqizuar marrëveshjet e Minsk-ut, ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe është i papranueshëm.

Në takimin e sigurisë, nën kryesimin e presidentit Erdoğan, gjithashtu janë vlerësuar përpjekjet për të ndaluar sulmin që kërcënon sigurinë rajonale dhe botërore, ndërsa Turqia do të vazhdojë të mbështesë unitetin politik, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Ku po ndodhin luftimet

Presidenti ukrainas Volodymr Zelensky thotë se forcat e armatosura të vendit të tij po zbrapsin sulmet në zonën e Donbas, në lindje të Ukrainës, ashtu sikurse edhe në zona të tjera të vendit. Nga ana tjetër, Rusia thotë se ka hasur pak rezistencë.

Ushtria ukrainase thotë se ka vrarë rreth 50 trupa ruse dhe ka goditur të 6 avionë ushtarakë. Megjithatë BBC shkruan se këto të dhëna nuk janë verifikuar ende.

Macron: Sulmi rus ‘pikë kthese’ në historinë europiane

Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se sulmi i Rusisë mbi Ukrainë është një “pikë kthese” në historinë europiane.

Në një deklaratë për median vendase, Macron u shpeh se Franca do të qëndrojë krah Ukrainës.

Macron shtoi se veprimet e Rusisë do të kenë pasoja “afatgjata dhe të rënda” për kontinentin.

Ambasadori i Ukrainës: Rusia, sulm mbi hartën e OKB

Sulm ndaj hartës së OKB-së e ka konsideruar ambasadori ukrainas në vendin tonë, Volodymyr Shkurov agresionin rus ndaj njësisë territoriale të Ukrainës. Në një konferencë të posaçme për mediat, ai theksoi se Rusia nuk ka bombarduar vetëm njësitë e bazat ushtarake, por edhe qytetet, ndërsa foli për dhjetëra viktima civilë.

“Bombardimet janë kryer mbi objekte ushtarake por edhe në qytete paqësore. Ky është akt lufte, sulm ndaj integritetit dhe sovranitetit territorial të Ukrainës. Sulm ndaj hartës së OKB.  Është shpallur gjendje ushtarake në të gjithë territorin, është mbyllur hapësira veriore. Në kufijtë me Bjellorusinë dhe Rusinë po kryen luftime ushtarake. Deri më tani janë me dhjetëra viktima civilë, por nuk e kemi numrin e saktë”.

Shkurov teksa falenderoi Shqipërinë për solidaritetin e treguar, bëri dhe një thirrje për ndihmë.

“Aktualisht në po bëjmë thirrje për sanksione të rrepta. Dhe diskutime direkte nga të gjitha organizata me ndikim ndaj agresorit rus.  Kemi bërë një kërkesë për armatime.  Kemi kërkuar nga Shqipëria benzine dhe lëndë të tjera djegëse”.

Ai theksoi se pavarësisht forcës së Rusisë, Ukraina nuk do ta dorëzojmë pavarësinë dhe sovranitetin e saj.

Xhaçka: 3 qytetarë shqiptarë kanë kërkuar ndihmë për t’u larguar nga Ukraina sot

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, pasi dënoi agresionin e Rusisë në Ukrainë foli edhe për situatën e qytetarëve shqiptarë që ndodhen atje. Xhaçka tha se që prej momentit që Ministria e Jashtme ka bërë thirrje për largim nga Ukraina nuk ka kërkuar asnjë person asistencë për largim. Kërkesat e vetme kanë ardhur ditën e sotme, ku Xhaçka tha se 3 qytetarë shqiptarë kanë kërkuar ndihmë sepse fluturimet e tyre të avionit ishin anuluar. Ministrja bëri me dije se këtyre personave u është sugjeruar që të kalojnë në rrugë tokësore në kufirin me Poloninë ose Rumaninë ku ambasadat e Shqipërisë janë të gatshme t’i presin.

“Po e mbyll ndërhyrjen time, me vëmendjen që i kemi kushtuar qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Ukrainë, ndonëse në numër shumë të vogël dhe me familje të krijuara atje prej vitesh. Që para 10 ditësh, MEPJ ka bërë thirrje për largim nga Ukraina, duke dhënë numrat e kontaktit të vënë në dispozicion. Që prej atëherë, Ambasada jonë në Varshavë dhe Drejtoria Konsullore në MEPJ kanë qenë në kontakt me këta qytetarë shqiptarë. Deri më sot ata nuk kanë kërkuar asistencë për largim nga Ukraina. Vetëm sot, 3 qytetarë kanë kërkuar asistencë, pasi kanë prerë biletë avioni dhe fluturimet janë anuluar. U kemi sugjeruar kalimin me rrugë tokësore në kufirin me Poloninë ose Rumaninë dhe ambasadat tona në këto dy vende janë të gatshme për t’i pritur dhe asistuar”, tha Xhaçka.

Ministrja tha se aktualisht janë në Ukrainë edhe 5 qytetarë shqiptarë, si pjesë e Misionit të OSBE-së atje.

“Sa i përket shtetasve shqiptarë në Misionin e OSBE në Ukrainë: prej 11 të punësuarve (të sekonduarve) në këtë Mision, 6 janë larguar dhe 5 janë në Ukrainë. Jemi në kontakt me OSBE për zbatimin e Planit të Evakuimit dhe kemi kontakt të vazhdueshëm për secilin prej të sekonduarve”.

Lituania shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Presidenti i Lituanisë shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Lajmi bëhet nga agjencia e lajmeve Reuters. Gitanas Nausėda thotë se po planifikon të nxjerrë ushtrinë për të mbrojtur kufijtë e vendit të tij, si përgjigje ndaj shqetësimeve të mundshme dhe provokimeve që mund të vijnë për shkak të forcave të mëdha ushtarake të Rusisë dhe Bjellorusisë.

Ndërkohë, Kaja Kallas, kryeministrja e Estonisë, vend që kufizohet me Rusinë, për BBC tha se vendi i saj do ta ndihmonte Ukrainën me gjithçka mundej, përfshirë mbështetjen politike dhe duke e furnizuar me armë.

“Duhet të bëjmë gjithçka në BE dhe NATO për të parandaluar përhapjen e këtij agresioni”, tha Kallas. Ajo po ashtu i bëri thirrje popullit të saj që të ruajnë qetësinë dhe se aktualisht kufijtë e Estonisë nuk janë të rrezikuar.

Presidenti i Ukrainës u kërkoi ndihmë, populli prek me përgjigjen

Radhë të gjata njerëzish janë regjistruar në Ukrainë pas thirrjes së Presidentit Volodymyr Zelensky. Kreu i shtetit të Ukrainës u kërkoi qytetarëve që të dhurojnë gjak për të ndihmuar ushtarët e plagosur dhe siç duket nga pamjet, ata i janë përgjigjur kërkesës së tij.

Pamjet më lart vijnë nga qyteti Kharkiv. Një prej doktorëve të bankës së gjakut tha se këtë shkallë dhurimi e ka parë vetëm gjatë vitit 2014, kur Ukraina kishte konfliktin me Rusinë në Donbas.

Sulmohet avioni ushtarak ukrainas, 5 të vdekur

Shërbimet e emergjencës ukrainase thonë se një avion  ukrainas ushtarak është goditur nga forcat ruse, duke i marrë jetën 5 personave.

Ndërkohë, zyra e presidentit ukrainas thotë se forcat ruse mund të zbarkojnë në Kiev nga ajri.

Më herët ushtria tha se Rusia po përpiqej të futej në kryeqytetin ukrainas.

Zjarr masiv pranë zyrave qendrore të Inteligjencës në Ukrainë

Tymi i zi po shihet gjithnjë e më shumë nëpër Ukrainë. BBC raporton për një zjarr pranë selisë së Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes ukrainase, e cila ndodhet në qendër të Kievit.

Deri më tani raportohet se flakët nuk kanë prekur këtë institucion, por një ndërtesë të madhe që ndodhet pranë saj.

Zyrtarët ukrainas thonë se raketat ruse kanë goditur disa baza komanduese ushtarake.

Shpërthime dhe të shtëna me armë dëgjohen nëpër gjithë Ukrainën. Pamjet që po publikohen në mediat ndërkombëtare tregojnë për shkatërrimin që po vjen nga ushtria ruse.

NATO aktivizon planin e mbrojtjes

Paqja në kontinentin tonë është thërrmuar”, është mesazhi i kobshëm për Europën nga Sekretarii  Përgjithëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në deklaratën e tij, ai është shprehur se Rusia po përpiqet të rishkruajë historinë dhe të mohojë rrugën e lirë dhe të pavarur të Ukrainës.

Detyra thelbësore e NATO-s është të mbrojë dhe përkrahë aleatët, thotë ai. “Sulmi ndaj njërit do të llogaritet si sulm ndaj të gjithëve”, shprehet Stoltenberg.

Ditën e sotme, NATO ka vendosur aplikimin e strategjisë mbrojtëse për ruajtjen dhe mbrojtjen e vendeve të tjera. Kjo do të thotë se Aleanca Transatlantike do të dërgojë forcat e saj kudo që të nevojitet, deklaron Stoltenberg.

Në ndryshim nga NATO, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka deklaruar se trupat amerikane nuk do të dërgohen në Ukrainë.

Çfarë po ndodh në Ukrainë? Momenti kur shpërthen aeroporti Mariupol

E enjtja është një ditë e zymtë për Ukrainën. Në motin me shi, nën një qiell gri, pamja që shpaloset përpara syve janë tanket e luftës dhe makina ushtarake brenda të cilave ndodhen ushtarë të armatosur, gati për në mbrojtje të vendit.

Rrugët janë të boshatisura, ku tek-tuk mund të shohësh një grup njerëzish që lëvizin në panik e akoma më rrallë ndonjë makinë apo mjet transporti.

Shpërthimet kanë rrëzuar shtyllat elektrike, ndërsa nga aeroporti në Mariupol shihen flakë zjarri të cilat përçajnë tymin gri që shkrihet me qiellin.

Si nisi pushtimi i Ukrainës: Nga deklaratat e Putin tek sulmet në 3 anë

Forcat ruse nisën pushtimin e Ukrainës nga 3 anë, ndërsa shpërthimet u dëgjuan në disa qytete, përfshirë kryeqytetin Kievin, në një sulm që nisi pa zbardhur ende e enjtja. 

Por si rrodhën ngjarjet?

Putin njoftoi sulmet: Presidenti rus Vladimir Putin doli në një deklaratë në orët e para të së enjtes duke thënë se kishte vendosur “të ndërmerrte një operacion special ushtarak për të mbrojtur njerëzit që kanë qenë subjekt i abuzimeve dhe gjenocidit nga regjimi i Kievit përgjatë 8 viteve të fundit”, duke përsëritur kështu një pretendim të pabazuar për rajonin e drejtuar nga separatistët e mbështetur nga Rusia, të Donbas.

Megjithatë Putin mohoi se Rusia po planifikonte pushtimin e territoreve të Ukrainës: “Nuk do të imponojmë asgjë dhe askënd me forcë”.

Por në një pasazh tejet kërcënues gjatë fjalës së tij, Putin shtoi se kushdo që do të ndërhyjë ose do të kërcënojë Rusinë, do të ketë “pasoja të pa provuara më parë në histori”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u përgjigj disa orë më vonë, më një video ku shprehej se kishte folur me presidentin amerikan Joe Biden dhe se SHBA dhe aleatët ishin krah Ukrainës: “Perëndimi është me ne”, tha ai teksa njoftoi aktivizimin e ligjit ushtarak në vend.

Sulmi para agimit: Pushtimi nisi pak orë para se të zbardhte dita me një seri sulmesh me raketa në disa zona pranë Kievit. Po ashtu u përdorën artileri me rreze të gjatë në qytetin verilindor të Kharkiv, panë kufirit rus.

Sulmet u përhapën me shpejtësi nëpër Ukrainën qendrore e lindore, pasi forcat ruse e sulmuan vendin nga tre anë.

Gjithnjë pa zbardhur ende dita, banorët e Odessa, Dnipro, Mariupol dhe Kramatorsk raportuan për shpërthime masive.

Shifrat e personave të vrarë e të plagosur ndryshojnë nga momenti në moment. Sa i përket dëmeve materiale, ato raportohen në shumë qytete.

Situata në Ukrainë, çfarë raportohet deri më tani

Rreth orës 4:00 të mëngjesit, presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi një “operacion special ushtarak” në Ukrainë.

Shpërthime të mëdha u dëgjuan në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev dhe në qytete të tjera kryesore si Karkivi e Odesa teksa Putin mbante fjalën e tij.

Kufijtë e të 4 katër rajoneve në Ukrainë janë bllokuar nga forcat ruse, raporton “Sky News”.

Autoritetet ukrainase raportojnë vdekjen e disa dhjetëra njerëzve deri më tani, ku përfshihen:
-6 në Brovari, pranë Kievit,
-1 djalë u vra gjatë shembjes së një ndërtese në Kiev,
-18 persona u vranë nga një raketë në Odesa,
-3 roje kufitare,
-tym dhe zjarr raportohen të shihen nga një aeroport në Mariupol, në Ukrainën juglindore ku tanket vendase janë në lëvizje.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka deklaruar se qeveria do të pajisë më armë personat që i kërkojnë, ndërsa ata me eksperiencë ushtarake janë thirrur për t’iu bashkuar mbrojtjes së vendit.

Rusia insiston: Nuk po pushtojmë Ukrainën

Kremlini thotë se nuk po planifikon të pushtojë Ukrainën, por ajo që Putin do është që ky vend të jetë neutral dhe të mos ketë armë ofensive.

Në reagim, sipas asaj që shkruajnë mediat ndërkombëtare, thuhet se Ukraina duhet të çlirohet nga idealet naziste dhe se operacionet ushtarake kanë si synim çarmatosjen dhe pastrimin nga këto ideale.

Në reagimin e Kremlinit thuhet po ashtu se Putin do të vendosë sa do të zgjasin operacionet e tyre ushtarake në këtë vend.

Sulmi në Ukrainë, NATO: Rusia do të paguajë një çmim shumë të rëndë

Në një reagim zyrtar, NATO ka dënuar më ashpërsinë më të madhe të mundshme sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës. NATO thotë se sulmi është i pajustifikuar dhe i paprovokuar. Po ashtu thuhet se Aleanca e Atlantikut të veriut dënon Bjellorusinë për mundësimin e këtij sulmi. Pasi rendit të gjitha shkeljet e Rusisë me këtë veprim, NATO thekson se “Rusia do të paguajë një çmim shumë të rëndë ekonomik dhe politik”.

NATO nënvizon se ditën e sotme ka kryer konsultime sipas nenit 4 të Traktatit të Uashingtonin dhe është vendosur “në përputhje me planifikimin tonë mbrojtës për të mbrojtur të gjithë aleatët, të ndërmarrim hapa shtesë për të forcuar më tej parandalimin dhe mbrojtjen në të gjithë Aleancën. Masat tona janë dhe mbeten parandaluese, proporcionale dhe joshkallëzuese. Angazhimi ynë ndaj nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit është i veshur me hekur. Ne jemi të bashkuar për të mbrojtur njëri-tjetrin”.

Po ashtu mediat ndërkombëtare kanë mësuar se aleanca ushtarake do të zhvillojë të premten një samit për të diskutuar këtë çështje.

Ushtria ukrainase: Kemi goditur 6 avionë dhe një helikopter rus

Forcat e Armatosura të Ukrainës thonë se kanë goditur një tjetër avion rus, i gjashti deri më tani. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës thotë se avioni u godit në zonën e Kramatorsk.

Më herët, ushtria ukrainase deklaroi se kishte goditur të 5 avionë dhe një helikopter të forcave ruse, të cilat po sulmojnë Ukrainën.

Në kundërpërgjigje, Rusia i hodhi poshtë këto pretendime, sipas asaj që raportoi agjencia shtetërore atje TASS.

“Orët më të errëta për Europën që prej Luftës së II Botërore”

Sulmi rus mbi Ukrainë të enjten renditet në mesin e “orëve më të errëta” të Europës, në 80 vitet e fundit. Kështu u shpreh përfaqësuesi i lartë i BE, Josep Borrell.

”Këto janë disa prej orëve më të errëta të Europës që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore”, tha ai.

Borrell premtoi asistencë urgjente për Ukrainën, ashtu sikurse mbështetje në përpjekje e evakuimit, përshirë stafin e BE.

Duke folur krah presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Borrell tha se masat ndëshkuese nga blloku i 27 anëtarëve kundër Rusisë do të jenë “më të ashprat të implementuara ndonjëherë më parë”.

Von der Leyen nga ana e saj u shpreh se do të prezantojë për aprovim sanksione “masive dhe strategjike”, kundër Rusisë, më vonë gjatë ditës së sotme. 

Berisha: Me agresionin kundër Ukrainës Rusia nisi de facto Luftën e III Botërore

Ish-kryeministri Sali Berisha teksa shkonte në Kuvend për seancë plenare ka patur një prononcim për mediat ku ka reaguar për sulmin rus ndaj Ukrainës. Berisha ka dënuar agresionin rus dhe theksoi se me këtë lëvizje, Putin dhe Rusia nisën de facto Luftën e III Botërore.

Me agresionin e hapur kundër Ukrainës së lirë dhe të pavarur, Vladimir Putin dhe Rusia nisën de facto Luftën e Tretë Botërore. Paqja e vendosur pas Luftës së Dytë Botërore në kontinentin tonë mori fund me këtë agresion. Shtoj këtu se Rusia, de facto është vendi që filloi luftën e parë botërore  sepse ajo nisi e para mobilizimin e përgjithshëm për të sulmuar Gjermaninë. Në luftën e Dytë Botërore dihet që diktatori nazist nisi luftën e dytë, por rrufeshëm në këtë luftë u bashkua Rusia, me paktin ku të dyja këto vende pushtuan Poloninë.

Së treti Rusia e vetme, absolutisht pa asnjë motiv përveç ambicieve imperiale të carit të saj sot sulmon një vend të lirë dhe të pavarur. Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s. Në Luftën e Parë ishte viktima e parë në kontinent që u pushtua. Pushtimi kaloi pa u regjistruar në analet e kancelarive të kohës.

Rusia do të humbasë këtë luftë dhe fundi i saj do të jetë më tragjiku. Shqipëria sot është anëtare e NATO-s. Do të përmbushë çdo detyrim që rrjedh nga kjo aleancë. Nuk mbetet gjë tjetër veçse të shprehim solidaritetin tonë më të madh me kombin më të madh popullin ukrainas dhe të dënojmë agresionin barbar rus të urdhëruar nga diktatori Vladimir Putin”, tha Berisha.

Tjetër shpërthim në Kiev: Viktimat mes civilëve dhe ushtarëve

Një këshilltar i zyrës së Presidentit ukrainas thotë se nga sulmet ruse në Ukrainë kanë humbur jetën mbi 10 civilë.

Sipas asaj që shkruajnë mediat britanike, i njëjti burim tha se janë më shumë se 40 ushtarë që kanë mbetur po ashtu të vrarë, ndërsa shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ndërkohë, vetëm pak çaste më parë, raportohet për një tjetër shpërthim në kryeqytetin ukrainas Kiev. Nga ana tjetër, forcat ukrainase deklarojnë se të paktën 4 tanke të armikut janë djegur në Karkiv.

Polonia dhe vendet Baltike aktivizojnë Nenin 4: Çfarë do të thotë

Vendet anëtare të NATO-s, Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania kanë aktivizuar Nenin 4 të NATO-s për nisjen e konsultimeve brenda aleancës, mbi sulmet ruse në Ukrainë.

“Palët do të konsultohen me njëri-tjetrin për integritetin territorial, pavarësisë politike apo sigurinë e secilit që mund të kërcënohet”, thuhet në Nenin 4 të Aleancës.

Sipas website të NATO-s, konsultimet nën Nenin 4 mund të çojnë në veprime kolektive mes 30 vendeve anëtare.

Në website thuhet se ky nen është aktivizuar 6 herë në të shkuarën që prej formimit të aleancës në 1949, më  e fundit nga Turqia në Shkurt të 2020-s, pasi me dhjetëra ushtarë turq u vranë nga një sulm nga forcat qeveritare siriane në vendet e drejtuara nga forcat opozitare në veri të Sirisë.

Turqia e ka thirrur Nenin 4 në katër raste të tjera: një herë në 2015 për të informuar aleancën për reagimin e saj ndaj sulmeve terroriste në vend; dy herë në vitin 2012 pasi një avion luftarak turk u rrëzua në veri të Sirisë dhe pasi civilët turq u vranë nga sulmet me granata siriane; dhe në vitin 2003 kur kërkoi ndihmën e aleancës për të mbrojtur popullsinë e saj nga çdo pasojë e luftës në Irakun fqinj.

Në dy nga këto raste, NATO u përgjigj me ndihmë ushtarake.

Polonia thirri Nenin 4 në 2014 pas agresionit të mëparshëm rus në Ukrainë, një takim që rezultoi në përpjekje të mëtejshme të aleancës për të qëndruar të bashku kundër çdo kërcënimi.

Neni 4 është i ndarë nga Neni 5, që është deklarata e aleancës se një sulm kundër një anëtari konsiderohet si sulm kundër të gjithëve.

Johnson: Kjo është katastrofë, kërkoj mbledhje urgjente të NATO-s

Boris Johnson e ka quajtur katastrofë për kontinentin europian atë që po ndodh aktualisht në Ukrainë.Në një reagim në Twiter ai tha se do kërkonte një  mbledhje urgjente të liderëve të NATO-s sa më shpejt që të jetë e mundur.

‘’Kjo është një katastrofë për planetin tonë.  Do të kem sot një komunikim me popullin sa i përket pushtimit rus në Ukrainë. Gjithashtu do të kem një komunikim me liderët e G7 dhe do kërkoj një mbledhje urgjente të liderëve të NATO-s sa më shpejt që të jetë e mundur.’’, shkroi ai në Twitter.

Ukraina në luftë, Zelensky thirrje popullit: Do të sigurojmë armë për njerëzit që i kërkojnë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky po i drejtohet kombit të tij me një fjalim duke i kërkuar çdo personi me eksperiencë ushtarake që t’i bashkohet mbrojtjes së vendit.

Ai tha se qeveria do të sigurojë armë për njerëzit që i kërkojnë ata. Zelensky gjithashtu u bën thirrje njerëzve që të dhurojnë gjak pasi ka ushtarë të plagosur në spitale. “Punëdhënësit duhet të kujdesen për punëtorët e tyre dhe të ndihmojnë në sigurimin e burimeve”, tha ai.

Presidenti ka konfirmuar se tani Ukraina ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Rusinë. “Ne do të luftojmë për vendin tonë dhe do ta mbështesim në çdo shesh të çdo qyteti”, tha ai.

Zelensky është shprehur se forcat e armatosura janë gati dhe Ukraina nuk do të heqë dorë nga pavarësia e saj.

Ish-Presidenti Ukrainas: Putin, Hitler i ditëve moderne

Ish-presidenti i Ukrainës dhe ligjvënësi aktual Petro Poroshenko ka thënë se “sot është një ditë tragjike”, por Ukraina do të mbizotërojë.

Ai po fliste jashtë parlamentit ndërsa deputetët mbanin bisedime për krizën në Kiev. Poroshenko, i cili ishte në detyrë nga 2014-2019, e krahasoi gjithashtu presidentin rus Vladimir Putin me një Hitler të ditëve të sotme.

Situata në parlamentin e Ukrainës është e tensionuar dhe ka shumë njerëz të armatosur brenda, thotë një gazetar ukrainas në ndërtesë për BBC.

Në bunkerë dhe arrati, çfarë po ndodh me popullin ukrainas

Në kryeqytetin ukrainas, Kiev, stacionet e metrove janë shndërruar në bunkerë të improvizuar. Dëshmitarë në qytet thanë për CNN se stacionet janë plot me njerëz të cilët kanë me vete me furnizime, të organizuar në grupe. Stacionet janë plot, por jo trenat, të cilët mësohet se vijojnë të lëvizin.

Ukrainasit arratisen nga Kiev: Ishin orët e para të mëngjesi të së enjtes kur nisën të dilnin fotot e para të trafikut në qytet. Radhë kilometrike automjetesh që largoheshin nga Kiev.

“Teksa nisën të dëgjonin sirenat, mund ta imagjinoni panikun që shpërthur tek njerëzit. Ata nisën të vraponin jashtë shtëpive të tyre ndërkohë që rreth e rrotull dëgjohen shpërthime”, tha më herët korrespondenti i CNN në Kive, Matthew Chance.

“I gjithë trafiku është në një drejtim. Të ikin sa më parë të jetë e mundur drejt perëndimit, në zona të sigurta. Nëse është e mundur jashtë vendit, ndoshta në Poloni, që është rreth 3-4 apo 5 orë larg me makinë. Mjafton të jetë nga ana e kundërt e Rusisë”.

Sulmet ajrore dhe shpërthimet po raportohen në vende të ndryshme të Ukrainës, përfshirë Kievin dhe Karkivin. Në një deklaratë në orët e para të mëngjesit Putin tha se Rusia nuk kishte në plan të pushtonte Ukrainën dhe kërkoi që ushtria e saj të ulte armët. Disa momente më pas, sulmet u raportuan në bazat ushtarake ukrainase. Ukraina thotë se Rusia ka nisur një pushtim të gjerë ndaj vendit të saj

Ndërkohë, shërbimet e trafikut ajror shtetëror në Ukrainë kanë mbyllur të gjitha hapësirat ajrore në vend, si pasojë e sulmit rus. Të gjitha fluturimet u pezulluan në orën 02:45 (me orën lokale) për shkak të rrezikut të lartë të aviacionit për civilët.

Zonat ku po ndodhin shpërthimet

Sulmet po ndodhin në vende të ndryshme në Ukrainë

Sulmet ajrore dhe shpërthimet po raportohen në vende të ndryshme të Ukrainës, përfshirë Kievin dhe Karkivin.

Në një deklaratë në orët e para të mëngjesit Putin tha se Rusia nuk kishte në plan të pushtonte Ukrainën dhe kërkoi që ushtria e saj të ulte armët.

Disa momente më pas, sulmet u raportuan në bazat ushtarake ukrainase.

Ukraina thotë se Rusia ka nisur një pushtim të gjerë ndaj vendit të saj.

Ukraina pezullon të gjitha fluturimet civile

Shërbimet e trafikut ajror shtetëror në Ukrainë kanë mbyllur të gjitha hapësirat ajrore në vend, si pasojë e sulmit rus.

Të gjitha fluturimet u pezulluan në orën 02:45 (me orën lokale) për shkak të rrezikut të lartë të aviacionit për civilët.

Në njoftim thuhet se “shërbimet e trafikut ajror për përdoruesit civil në hapësirën ajrore Ukrainase pezullohen për arsye sigurie”.

Lëkunden tregjet

Çmimet e naftës u rritën në mbi 100 dollarë për fuçi dhe tregjet globale të aksioneve ranë, pas raportimeve se Rusia ka nisur sulm të shkallës së gjerë kundër Ukrainës.

Çmimet e arit dhe jenit japonez, që konsiderohen si “streha të sigurta” gjatë pasigurive globale, u rritën po ashtu.

Macron: Rusia të ndalë menjëherë operacionet ushtarake në Ukrainë

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Rusia duhet të ndalë menjëherë operacionet ushtarake në Ukrainë.

“Franca dënon me forcë vendimin e Rusisë për të shpallur luftë Ukrainës. Rusia duhet t’i ndalë menjëherë operacionet ushtarake”, tha ai në një postim në Twitter. Franca qëndron në solidaritet me Ukrainën. Qëndron krah ukrainasve dhe po punon me partnerët e saj dhe aleatët për t’i dhënë fund luftës“, theksoi Macron.

Siç shkruan CNN, Presidenti francez pati një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Vlodymyr Zelensky. Ky i fundit mësohet se kërkoi për ndërhyrje të shumëfishta, për të mbështetur Ukrainën.

Zelensky po ashtu kërkoi “unanimitetin e Europës” dhe Macron “e siguroi atë për mbështetjen dhe solidaritetin e Francës.

Ndalen fluturimet mbi Ukrainën

Britania: Sanksionet më të ashpra që Rusia ka parë ndonjëherë në parë

Autoritetet britanike kanë paralajmëruar se do të vendosin një paketë sanksionesh të koordinuara dhe të paprecedenta kundër Rusisë. Ato do të nisin sot dhe do të zgjerohen me kalimin e ditëve.

Sipas asaj që shkruan BBC, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme britanike thonë se do të jenë sanksionet më të mëdha dhe më të ashpra që Rusia ka parë ndonjëherë më parë.

“Kjo është planifikuar me kohë nga Vladimir Putin. Ky është një pushtim dhe është totalisht i paprovokuar dhe i pa justifikuar”, thanë autoritetet britanike, duke ritheksuar mbështetjen e plotë de asistencë direkte për Ukrainën për të mbrojtur shtetin e tyre.

Biden: Rusia do të mbahet përgjegjëse

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e dënoi operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm “të paprovokuar dhe të pajustifikuar” ndaj Ukrainës dhe shtoi se bota “do ta mbajë Rusinë përgjegjëse”.

Ai tha se Rusia do të jetë përgjegjëse për “humbjet katastrofike të jetëve dhe vuajtjet njerëzore”.

“Sot do të takohem me liderë të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7). Shtetet e Bashkuara, bashkë me aleatët dhe partnerët, do të vendosin sanksione të ashpra ndaj Rusisë”, tha Biden.

Ukraina shpall ligjin ushtarak, Zelensky thirrje popullit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, shpalli ligjin ushtarak, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bëjnë panik, pasi Rusia nisi sulmet ndaj vendit te tij. Ai tha të enjten se Rusia ka vënë në shënjestër infrastrukturën ushtarake të Ukrainës dhe se shpërthime janë dëgjuar në gjithë vendin.

Presidenti Zelenskyy tha se ka biseduar në telefon me presidentin amerikan, Joe Biden dhe Shtetet e Bashkuara që po punojnë për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për Ukrainën.

Presidenti Biden shkroi se gjatë bisedës me presidentin Zelenskyy e dënoi sulmin e paprovokuar dhe të pajustifikuar nga forcat ushtarake ruse.

Xhaçka: Sulmi ndaj Ukrainës rrezikon jetën e miliona njerëzve të pafajshëm

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, dënon me forcë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës. Në një postim, ministrja thotë se sulmi rrezikon jetën e miliona njerëzve të pafajshëm.

“Shqipëria dënon me forcë sulmin e paprovokuar ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.  Ky sulm rrezikon jetën e miliona njerëzve të pafajshëm, minon themelet e rendit ndërkombëtar dhe shkel Kartën e OKB-së”, tha Xhaçka.

Mjete ushtarake ruse futen në Ukrainë nga Bjellorusia

Policia ukrainase: 7 të vdekur pas sulmeve ruse me bombë

Të paktën 7 personave raportohet të kenë humbur jetën nga bombardimet e forcave ruse. Lajmi bëhet i ditur policia ukrainase.

Zyrtarët thonë se një sulm në njësinë ushtarake në Podilsk, jashtë Odessa i mori jetën 6 personave, ndërsa të plagosur mbetën 7 të tjerë.

Të paktën 19 persona rezultojnë po ashtu të zhdukur. Një tjetër person humbi jetën në qytetin e Mariupol.

Presidentja e KE-së: Putin po risjell luftën në Europë

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen duke folur nga Brukseli ka dënuar Vladimir Putin për “risjelljen e një lufte në Europë”.

“Ne dënojmë këtë sulm barbar dhe argumentet cinike për ta justifikuar atë. Është Presidenti Putin që po risjell luftën në Europë. Në këto orë të errëta BE qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj”, tha ajo.

Presidentja e KE njoftoi një paketë sanksionesh masive, të cilat do të propozohen më vonë në një përpjekje për të dobësuar bazën ekonomike të Rusisë dhe “kapacitetet e saj për t’u modernizuar”.

Mblidhet KS, ambasadori shqiptar: OKB të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës

Për situatën në Ukrainë, Këshilli i Sigurimit në Kombet e Bashkuara është duke mbajtur një mbledhje emergjente. Ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha, ka mbajtur fjalën e tij në këtë takim.

Ai ka dënuar sulmin rus. Në postimin në rrjetet sociale ku është shpërndarë edhe fjala e ambasadorit shqiptar, thuhet: Rusia po sulmon egërsisht fqinjin e tij të cilit kërkon që t’i mohojë ekzistencën, lirinë, tokën dhe dinjitetin.

Shqipëria bëri thirrje në mbledhjen e sigurisë që të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Sulmohet Ukraina: NATO në takim emergjence

Ukraina njofton për disa sulme me raketa dhe shpërthime në disa qytete të vendit. Kancelari gjerman, Olaf Schoz bën fjalë për një ditë të errët për Europën.

Ukraina njofton për sulme me raketa ndaj Kievit dhe qytete të tjera. Sipas raportimeve në media ka kalime të trupave ruse në disa pjesë të vendit. Sulmi i përfolur këto ditë ndaj Ukrainës, sipas disa njoftimeve i drejtohet të gjithë vendit.

Presidenti rus, Putin e ka miratuar një operacion ushtarak në Ukrainë duke e bërë të ditur në një fjalim televiziv. Menjëherë pas kësaj pati njoftime për sulmet e para dhe shpërthime në disa rajone të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy bëri të ditur, se shpërthimet janë dëgjuar në disa qytete të vendit. Rusia ka sulmuar infrastrukturën e vendit si edhe pika kufitare. Kurse ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba flet për “sulm të gjithanshëm kundër Ukrainës.” Ministria e Brendshme ukrainase njoftoi për sulme ndaj aeroporteve ushtarakë. Në Mariupol ka pasur dy shpërthime të rënda, njoftohet të enjten në mëngjes.

Kancelari gjerman, Olaf Schoz e dënoi sulmin. “Kjo është një ditë e tmerrshme për Ukrainën dhe një ditë e errët për Europën”, tha Scholz. Kancelari gjermana telefonoi me presidentin ukrainas dhe i siguroi solidaritetin e plotë të Gjermanisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka dënuar sulmin ndaj Ukrainës si një sulm të paturpshëm dhe pa pasur asnjë shkak. “Ky sulm “rrezikon jetën e shumë civilëve”, ka thënë Stoltenberg. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von e dënoi sulmin rus “ashpërsisht”. “Ne dënojmë sulmin e pajustifikuar të Rusisë në formën më të ashpër”, shkroi von der Leyen në Twitter. Bëhet e ditur të enjten, se ambasadorët e NATO-s zhvillojnë shpejt një takim krize. NATO ka thirrur këshillin transatlantiko-verior.

DASH njoftim sigurie për qytetarët amerikanë në Ukrainë

Departamenti Amerikan i Shtetit u ka bërë thirje qytetarëve amerikanë që ndodhën në Ukrainë që të strehohen në vende të sigurta.

‘’Njoftim sigurie – Sulm në Ukrainë: Ka raportime  për sulme ruse ndaj objektivave në një numër qyttesh rë mëdha të Ulkrainës. Qytetarët amerikanë në Ukrainë këshillohen të strehohen në vende të sigurta“, thuhet në njoftimin nga DASH.

Rama dënon sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës: Bashkohemi me aleatët tanë të NATO-s dhe BE-së

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

“Ne bashkohemi me aleatët tanë të NATO-s dhe BE-së në dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë. Mendimet tona janë me popullin ukrainas”, shkruan Rama.

Sulmi në Ukrainë, Stoltenberg: Kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “e dënon fuqishëm sulmin e pamatur dhe të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili vë në rrezik jetë të panumërta civilësh. Edhe një herë, pavarësisht paralajmërimeve tona të përsëritura dhe përpjekjeve të palodhura për t’u angazhuar në diplomaci, Rusia zgjodhi rrugën e agresionit kundër një vendi sovran dhe të pavarur”.

Sekretari Stoltenberg tha se sulmi është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe një kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike, ndërsa i bëri thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë veprimet e saj ushtarake dhe të respektojë sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Ukrainës. Aleatët e NATO-s do të takohen për të trajtuar pasojat e veprimeve agresive të Rusisë, tha ai duke nënvizuar se aleatët qëndrojnë me popullin e Ukrainës në këtë kohë të tmerrshme. NATO-ja do të bëjë gjithçka që duhet për të mbrojtur të gjithë aleatët, tha sekretari Stoltenberg.

Putin njofton fillimin e një operacioni ushtarak në lindje të Ukrainës

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të enjten fillimin e “një operacioni special ushtarak” në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës, duke pretenduar se “synon të mbrojë civilët”.

Në një fjalim televiziv herët në mëngjes me orën e Moskës, zoti Putin tha se ky “veprimi vjen si përgjigje ndaj kërcënimeve që vijnë nga Ukraina”.

Ai tha se Rusia nuk ka qëllim të pushtojë Ukrainën, dhe se përgjegjësia, nëse do të ketë gjakderdhje, i takon “regjimit ukrainas”, sipas tij. Presidenti rus paralajmëroi vendet e tjera se çdo përpjekje për të ndërhyrë do të shkaktonte “pasoja që ata nuk i kanë parë kurrë”.

Presidenti amerikan Joe Biden reagoi menjëherë duke thënë se “vetëm Rusia është përgjegjëse për vdekjen dhe shkatërrimin që do të sjellë ky sulm. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të përgjigjen në një mënyrë të bashkuar dhe vendimtare. Bota do të kërkojë llogari nga Rusia”, shtoi zoti Biden.

Presidenti Putin akuzoi SHBA-në dhe aleatët perëndimorë se kanë injoruar kërkesën e Rusisë për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe për t’i ofruar Moskës “garanci sigurie”.

Ndër të tjera gjatë fjalimit televiziv, ai tha se “operacioni ushtarak rus synon të sigurojë çmilitarizimin e Ukrainës”. Sipas tij, të gjithë ushtarët ukrainas që do të dorëzojnë armët do të jenë në gjendje të largohen të sigurt nga zona e luftimit.

Zyrtarët amerikanë janë zotuar vazhdimisht të vendosin sanksione dërrmuese ndaj ekonomisë ruse dhe aleatëve të presidentit Putin, në rast të një pushtimi të mëtejshëm të Ukrainës.

Të mërkurën, Kremlini tha se rebelët në Ukrainën lindore i kërkuan Rusisë ndihmë ushtarake “për të shmangur agresionin ukrainas”.

Presidenti ukrainas reagoi më pas dhe hodhi poshtë pretendimet e Moskës se vendi i tij përbën një kërcënim për Rusinë dhe tha se një ndërhyrje ushtarake nga Rusia do të kushtonte dhjetëra mijëra jetë.

Populli i Ukrainës dhe qeveria e Ukrainës duan paqe”, tha presidenti Volodymyr Zelensky në një fjalim emocional gjatë natës të së mërkurës.

Ai foli dhe në rusisht duke i bërë një thirrje të drejtpërdrejtë qytetarëve rusë. Zoti Zelensky tha se ai kishte kërkuar të bisedonte në telefon me presidentin rus, por Kremlini nuk iu përgjigj.

Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes tha të mërkurën se forcat ruse të vendosura përgjatë kufirit me Ukrainën janë “gati” për fillimin e një sulmi, nëse marrin një urdhër për këtë.

Autoritetet amerikane thonë se Rusia ka mbi 150,000 trupa përgjatë kufirit të Ukrainës me Rusinë dhe Bjellorusinë.

REDAKSIA TVKLAN.AL