Vladimir Putin urdhëroi ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainë, si shenjë vullneti për një armëpushim në këtë vend, pas telefonatës që zhvilloi të martën me Donald Trumpin si nismëtar i përpjekjeve për fundin e luftës 3-vjeçare.
Sipas detajeve të bëra publike si nga Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini, presidentët ranë dakord për ngritjen e një grupi të përbashkët për vijimin e negociatave në Arabinë Saudite për vendosjen e një armëpushimi detar në Detin e Zi, e më pas të një armëpushimi gjithëpërfshirës.
Rusia dhe Ukriana do shkëmbejnë 350 të burgosur nga të dyja palët, proces që pritet të nisë nga kjo e mërkurë.
Ndonëse u tha se Putini kishte kërkuar që të ndalej furnizimi i Ukrainës me armë, Trump tha në një intervistë televizive pas telefonatës se për këtë çështje nuk ishte folur fare.
Sulmet ruse në Ukrainë, megjithatë as nuk e ulën intensitetin gjatë natës së kaluar. Pamjet tregojnë dëmet nga goditjet me dronë të një spitali në rajonin ukrainas të Sumit.
Rusët goditën sistemin e energjisë në Dnipropetrovsk duke shkaktuar vështirësi në trafikun hekurudhor.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se sulmet tregonin se qëllimi i vërtetë i Putinit nuk është paqja, por zgjatja e luftës.
Tv Klan