Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka folur mbrëmjen e kësaj të marte për situatën pandemike në vend dhe vaksinimin.

Në një intervistë për Klan News, Brataj është ndalur tek vaksina ruse Sputnik V, për të cilën është shprehur se Rusia nuk ka sjellë një ofertë zyrtare për Shqipërinë, por vetëm një postim në rrjetin social Twitter.

Më tej mjeku ka theksuar se Rusia dhe Kina, edhe pse e prodhuan vetë vaksinën, kanë vaksinuar vetëm 2.8% të popullsisë, gjë që sipas tij shfaq pasiguri për shëndetin e popullatës.

Pyetje: Procesi i vaksinimit ka ecur mirë në disa vende ku është futur Rusia me vaksinën e saj, apo edhe Kina. Mund ta kishte marrë edhe Shqipëria? Duhet ta ndiqte Europën qorrazi Shqipëria në këtë rast, pavarësisht se kemi të bëjmë me jetë njerëzish në mes?

“Nuk është se Europën e ndjekim qorrazi. Unë si mjek kam dyshimet e mia për një vaksinë që s’kam parë publikime shkencore nga shoqata shkencore perëndimore.

Bota shkencore amerikane është shumë e interesuar për rezultatet, për tre fazat e para, si u bënë etj. Dhe mua më habit fakti jo vetëm i kësaj, sepse po themi pse nuk kanë ardhur.

Rusia dhe Kina janë nga vendet e fundit të vaksinimit, 2.8% të popullsisë kanë vaksinuar, kur në vend të parë është Gjilbraltari 87%, është Izraeli me 85%, janë vende të tjera. Tani unë një gjë e prodhoj në shtëpi dhe nuk bëj dot për njerëzit e mi?! Ka diçka që nuk shkon. Nuk duhet t’u ushqejmë njerëzve gjëra jo reale duke pretenduar që s’duam ne ta marrim.

Nuk erdhi ndonjë ofertë zyrtare nga Rusia, erdhi në Twitter. Nuk ka politikë tek shëndeti i njerëzve, çfarëdolloj vaksine që ka sigurinë, efikasitetin dhe imunitetin, mirë se të vijë, pavarësisht prejardhjes.

Por nëse nuk i kam në dispozicion këto gjëra atëherë nuk mund të sillen. Unë flas si profesionist dhe them që nëse këto tregues të vaksinës nuk janë të qartë. Unë vetë nuk do ta bëja”.

Klan News