Kremlini po intensifikon përpjekjet për të rritur praninë e Rusisë në Arktik. Zyrtarët amerikanë të zbulimit kanë paralajmëruar se aktiviteti ushtarak dhe ekonomik i Moskës në rajon ka arritur nivelet që nuk janë parë që nga Lufta e Ftohtë. Presidenti Vladimir Putin këtë vit tha se vendi i tij do të zgjerojë rrugët e transportit të mallrave në Arktik që lidhin portet ruse me ato të Kinës. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina nga Shën Peterburgu, kjo përpjekje është e qartë pasi Rusia po ndërton akullthyese të avancuara.

Është një ditë feste në kantierin e anijeve në Shën Peterburg. Punëtorët dhe familjet e tyre kanë ardhur për t’i dhënë lamtumirën një projekti të madh në të cilin kanë punuar për më shumë se dy vjet: akullthyesen e re me energji bërthamore “Ural”, që do të udhëheqë përpjekjet e Rusisë për të fituar kontrollin e rrugëve detare në Arktik.

“Rruga veriore detare, ose zhvillimi i Arktikut, është shumë i rëndësishëm për Rusinë. Falë akullthyesit të ri, ne do të përmirësojmë gjendjen edhe më tej”, thotë Valeriya Ditkovskaya nga kantieri Baltik.

Deri në vitin 2035, Rusia synon të ndërtojë një flotë me 13 akullthyesve të fuqishme, njëra prej tyre me energji bërthamore dhe të ndërtuar nga monopoli shtetëror rus i energjisë bërthamore, Rosatom.

Ëndrra e Rusisë për dominimin e Arktikut filloi nën sundimin e Pjetrit të Madh, por gjatë epokës sovjetike u krijuan rrugë detare dhe shfrytëzimi i burimeve të saj u bë përparësi kombëtare. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, planet u braktisën, por nën presidentin Vladimir Putin, ato u rikthyen në axhendën politike të Moskës.

“Arktiku është bërë përsëri i rëndësishëm për studiuesit dhe për qeverinë. Në të kaluarën ne ishim më të interesuar për shfrytëzimin e tij për peshkim dhe hapjen e rrugëve më të shpejta për në Azi. Tani gjithashtu kemi gaz natyror”, thotë Maria Dukalskaya nga Muzeu Arktik.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara thotë se 22 për qind e depozitave të pashfrytëzuara të naftës dhe gazit në botë janë të fshehura nën akullin e Arktikut.

Disa ekspertë thonë se ngrohja globale tani mund ta lehtësojë nxjerrjen e tij.

“Arktiku është shumë i ndjeshëm ndaj ndryshimeve të temperaturës dhe treguesi më i qartë është se akulli në sipërfaqen e oqeanit është tkurrur dukshëm nga viti 2017 deri në vitin 2019, duke arritur ulje historike”, thotë Alexander Makarov nga Instituti Arktik.

Kontrolli i ujërave të Arktikut është gjithashtu pëparësi ushtarake për Moskën. Rusia ka mosmarrëveshje të vazhdueshme detare me Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Norvegjinë.

“Ka pasur gjithmonë baza ushtarake atje gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik. Ajo që po shohim tani, me ngritjen e një pranie ushtarake, është thjesht një ridislokim”, thotë Nadezhda Klimovna nga revista Arktik.

Akullthyesja e re me energji bërthamore merr bekimin e një prifti ortodoks dhe goditja e parë që ajo merr nuk është nga akulli i Arktikut por nga një shishe me shampanjë, ndërsa fillon udhëtimin e gjatë nga Deti Baltik drejt porteve të Azisë Lindore./VOA