Punëtorët në rusi, të cilët nuk pranojnë të vaksinohen në zonat ku ky veprim është bërë i detyrueshëm, do paralajmërohen për pushim nga puna. Fillimisht ata do pezullohen për një afat të pacaktuar dhe nëse kundërshtimi i tyre do të vazhdojë, atëherë do t’u ndërpritet kontrata e punës.

Kjo u bë e ditur nga Ministri i Punës, Anton Kotyakov, pas prezantimit të masave të reja kundër koronavirusit në Moskë, Shën Petersburg dhe disa qytete të tjera.

Rusia po përballet me një valë të tretë vdekjeprurëse të pandemisë, ku gjysma e rasteve të reja janë regjistruar në Moskë.

Një nga evenimentet më të rëndësishëm sportive që mund të preket nga masat e reja është edhe Kampionati Evropian i Futbollit Euro 2020.

Disa prej ndeshjeve po luhen në Shën Petërsburg, qytet ku janë shënuar mbi 1.000 raste të reja ditor me Covid-19. Rusia ka regjistruar 129.361 viktima nga koronavirusi, duke u bërë shteti më i goditur në Evropë nga pandemia.

Klan News