Moska arrin qëllimin e saj për të rritur aftësitë për eksportimin e gazit

Ndërtimi i gazsjellësit rus të shumë diskutuar “Nord Stream 2” që kalon përmes detit Baltik ka përfunduar. Lajmin e bëri të ditur gjiganti energjitik  Gazprom. Me përfundimin e këtij projekti arrihet qëllimi i  Moskës për të rritur aftësinë e saj për eksportimin e gazit.

Tubacioni shumë i politizuar do të dyfishojë kapacitetin eksportues të gazit të Rusisë në Evropë përmes Detit Baltik dhe do t’i lejojë Moskës të anashkalojë armikun e saj politik Ukrainën si një rrugë kryesore për eksportet e saj fitimprurëse të gazit në Evropë.

Kompania Gazprom filloi ndërtimin e tubacionit prej 1,200 km të gjatë nga Rusia në Gjermani pesë vite  më parë. Projekti prej 11 miliardë dollarësh u ndal në fund të vitit 2019 kur Presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump vendosi sanksione kundër tij. Ndërtimi filloi sërish rreth një vit më vonë .

Qeveria amerikane ka kritikuar vazhdimisht projektin duke e bërë Evropën shumë të varur nga Rusia për furnizimin e saj me energji, duke çuar në tensione të veçanta me Gjermaninë.

Sidoqoftë, në korrik Uashingtoni dhe Berlini njoftuan një marrëveshje në të cilën ata u zotuan të ndërmarrin veprime në rast se Rusia përpiqet të përdorë energjinë si armë ose kryen veprime të mëtejshme agresive kundër Ukrainës. Gazsjellësi do të furnizojë Gjermaninë me 55 miliardë metra kub gaz në vit.

Klan News