Rusia është penalizuar për 4 vjet duke u ndaluar që të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet kryesore sportive. Vendimi është dhënë nga Agjencia Botërore e Anti-Dopingut në Lozanë të Zvicrës.

Kjo do të thotë që flamuri dhe himni i Rusisë nuk do të lejohen në aktivitete sportive të tilla si Lojërat Olimpike në Tokio 2020 dhe Botërori i Futbollit që do të zhvillohet në Katar në vitin 2022.

Nga ky vendim përjashtohen atletët të cilët rezultojnë të pastër në testet anti-doping. Megjithatë, këta atletë nuk do të lejohen që të marrin pjesë në aktivitete sportive me flamurin rus, por nën një flamur neutral.

Vendimi i Agjencisë Botërore Anti-Doping vjen pasi Rusia kishte manipuluar të dhënat laboratorike të doping në Janar të vitit 2019. Rusia ka 21 ditë afat për të apeluar këtë vendim, që nëse ndodh, do të shqyrtohet nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, CAS. /tvklan.al