Shtohen kritikat ndaj ushtrisë ruse dhe ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu

Presidenti ukrainas VolodymyrZelenskiy akuzoi Rusinë për “shantazh bërthamor” lidhur me kapjen e centralit bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën jugore.

“Kapja e termocentralit tonë bërthamor në Zaporizhzhia i shërben Rusisë për të shantazhuar Europën, e mbi të gjitha Ukrainën”.

Para pushtimit rus, centrali i siguronte Ukrainës rreth një të pestën e energjisë elektrike. Moska dhe Kievi akuzojnë njëra-tjetrën për bombardimin e territorit të centralit, duke rrezikuar një katastrofë bërthamore.

Në Kombet e Bashkuara, Rusia po lobon për një votim të fshehtë në vend të një votimi të hapur javën e ardhshme, kur Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh do të shqyrtojë rezolutën e bashkëhartuar nga Shqipëria dhe ShBA-ja për të dënuar të ashtuquajturin aneksim të katër rajoneve pjesërisht të pushtuara të Ukrainës.

“Tani duhet të fokusojmë përpjekjet tona të përbashkëta për ta bërë votimin në Asamblenë e Përgjithshme për këtë rezolutë sa më të qartë që të jetë e mundur”.

Çështja e centralit bërthamor po mban të alarmuar dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Kreu i saj Rafael Grossi tha të enjten se e konsideronte termocentralin bërthamor të Zaporizhias si një strukturë ukrainase.

“Kjo është një çështje që lidhet me të drejtën ndërkombëtare… ne duam që kjo luftë të ndalet menjëherë, dhe natyrisht qëndrimi i IAEA është se ky objekt është një strukturë ukrainase”.

Një raketë ruse shkatërroi një bllok apartamentesh në qytetin e Zaporizhia që Moska thotë se e ka aneksuar, duke vrarë të paktën tre vetë.

Mijëra trupa ruse janë tërhequr pasi vija e frontit u shkatërrua. Kritikat publike ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë të Rusisë, dikur tabu, po shtohen gjithashtu pasi dy aleatë të presidentit Vladimir Putin kritikuan atë që ata thanë se ishte mënyra e paaftë për zhvillimin e luftës.

Pakënaqësia ka filluar të rritet edhe mes drejtuesve besnikë të televizionit shtetëror , të cilët po diskutojnë mungesën e rreth 1 milionë uniformave ushtarake dimërore. “Ju lutem më shpjegoni se cila është ideja gjeniale e shtabit të përgjithshëm tani?“, tha Vladimir  Solovyov, një nga drejtuesit më të shquar të televizionit rus.

Akuza për korrupsion po lëshohen në drejtim të ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu.