Paralajmërohen anijet e mallrave të mos shkojnë në portet ukrainase
Ishte një natë ferri për qytetarët e Odesas në Ukrainë. Shi raketash balistike e dronë si hakmarrje për shkatërrimin e urës së Krimesë. Hakmarrje që u derdh mbi infrastrukturën ukrainase të magazinimit të grurit. Sulmet ruse me raketa në bregun e Detit të Zi të Ukrainës shkatërruan të mërkurën 60,000 tonë grurë, sasi që do të eksportohej në vendet e varfra të Afrikës.
Ministri ukrainas i Bujqësisë Mykola Solskyi tha se një “sasi e konsiderueshme” e infrastrukturës së eksportit doli jashtë funksionit.
Rusia u tërhoq nga marrëveshje ndërkombëtare e eksportit të drithërave dhe brenda disa orëve goditi qytetet portuale jugore si Odesan dhe Mykolaiv-in. Sulmet kishin në objektiv terminalet e grurit dhe infrastrukturën portuale në Odesa dhe më tej në bregun e Detit të Zi.
Pasi Ukraina u zotua ta vazhdojë transportin pa garancinë e Rusisë, ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se nga mesnata e së mërkurës, çdo anije që shkon në portet e Ukrainës do të konsiderohet si transportues potencial i ngarkesave ushtarake dhe palë në konflikt. Të paktën 12 civilë u plagosën gjatë sulmeve, të cilat shkaktuan gjithashtu dëme në blloqe banesash.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se çdo sulm raketor është një goditje jo vetëm për Ukrainën, por për “të gjithë botën që përpiqet për një jetë normale dhe të sigurt”.
Franca dhe Gjermania e dënuan sulmin. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se duke sulmuar Odesën, presidenti Vladimir Putin po i grabit botës çdo shpresë për grurin ukrainas dhe po “goditen më të varfrit në botë”.
Komentatorët rusë të luftës thanë se dëmi dëshmoi se Kievi nuk është në gjendje të rrëzojë shumicën e raketave dhe dronëve rusë. Zyrtarët thanë se sulmi i koordinuar përfshiu raketa Kalibr, raketa supersonike Onyx dhe anti-anije Kh-22, si dhe drone kamikazë. 37 raketa dhe drone rusë u rrëzuan, po një numër i tyre depërtuan në mbrojtjen e Ukrainës.
“Pashë një blitz të kuq në dritare dhe reagova menjëherë. Zbrita poshtë, jashtë ishte e zhurmshme dhe e mbushur me tym, njerëzit ishin në panik, disa po qanin, copa xhami ishin të shpërndara gjithandej.”
Ushtria ukrainase sulmoi gjithashtu me dronë disa objektiva në Krimenë e pushtuar. Dronët goditën një bazë stërvitore ushtarake dhe autoritetet u detyruan të evakuojnë rreth 2,200 banorë.
Ndërkohë shefi i mercenarëve kryengritës të Rusisë, Yevgeny Prigozhin, u shfaq të mërkurën në një video duke mirëpritur luftëtarët e tij në Bjellorusi. Ai dëgjohet teksa u thotë se nuk do të merrnin më pjesë në luftën e Ukrainës. Pamjet e shpërndara me shpejtësi në rrjet janë dëshmia e parë video e vendndodhjes së Prigozhin-it që nga nata e rebelimit.
U përfol shumë dhe tani u konfirmua. Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në një samit në Afrikën e Jugut muajin e ardhshëm nga frika e arrestimit. Më herët, presidenti i Afrikës së Jugut tha se ishte paralajmëruar nga Kremlini se çdo përpjekje për të arrestuar Vladimir Putinin do të konsiderohej shpallje lufte ndaj Rusisë.
Klan News