Artileria ruse dëmtoi infrastrukturën energjetike të Ukrainës në qytetin Kherson pranë frontit, dy ditë pasi SHBA-ja njoftoi se secila palë ra dakord për të ndaluar sulmet ndaj objekteve energjetike dhe ato në Detin e Zi.

“Sot infrastruktura energjetike në qytetin Kherson u dëmtua nga artileria ruse”, tha Zelenskiy në Paris. “Unë besoj se SHBA duhet të përgjigjet me veprime.”

Guvernatori rajonal i Khersonit, Oleksandr Prokudin tha se vijon puna për të rikthyer energjinë elektrike për konsumatorët që mbetën pa furnizim si rezultat i bombardimeve ruse.

Nga ana tjetër Moska akuzoi Kievin për përdorimin e dronëve për të sulmuar objektet energjetike në rajonet Kursk dhe Bryansk të Rusisë dhe në gadishullin e pushtuar të Krimesë. Ushtria ukrainase i mohoi këto akuza.

Ndërkohë Presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi NATO-n me shtimin e personelit ushtarak në Arktik. U shpreh i shqetësuar për anëtarësimin në NATO të Suedisë e Finlandës dhe paralajmëroi se Rusia do të përgjigjet ndaj tyre.

“Jemi duke monitoruar nga afër situatën dhe po ndërtojmë një linjë reagimi me anë të rritjes së aftësive luftarake të forcave të armatosura dhe modernizimit të infrastrukturës ushtarake. Nuk do të lejojmë asnjë shkelje të sovranitetit të vendit tonë.”

Rusia ishte e shqetësuar se “vendet e NATO-s në përgjithësi po e përcaktojnë gjithnjë e më shumë Veriun e Largët si trampolinë për konflikte të mundshme”.

Klan News