Rusia siguron prodhimin e Sputnik V në Itali




Rusia siguron prodhimin e Sputnik V në Itali

23:00 09/03/2021

Kompania do të nisë punën në Korrik dhe deri në fund të vitit do të sigurohen 10 milionë doza

Firma italo-zvicerane Adienne Pharma & Biotech ka nënshkruar një marrëveshje strategjike për të prodhuar vaksinën ruse Sputnik V në Itali.

Marrëveshja me fondin sovran të pasurisë ruse RDIF është marrëveshja e parë evropiane e prodhimit për vaksinën. Sipas Politico ky vendim erdhi pas aprovimit nga rregullatorët e brendshëm italian si dhe pas zotimit të kryeministrit Italian Mario Draghi për të përshpejtuar fushatën e vaksinimit.

Kompania do të jetë në gjendje të fillojë prodhimin në Korrik dhe të prodhojë 10 milionë doza në fund të vitit. Prodhimi do të zhvillohet në një vend afër Milanos, në Lombardi.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka deklaruar për herë të parë se do të marrë në rishikim vaksinën ruse “Sputnik V”. Rregullatori evropian i barnave ka argumentuar se Sputink V prodhon  antitrupa dhe qelizave imune që parandalojnë koronavirusin dhe mund të ndihmojnë në mbrojtjen e njerëzve dhe parandaluar infektimin e tyre me COVID-19.

Hungaria dhe Sllovakia kanë filluar të marrin doza të vaksinës pa pritur miratimin e EMA. Fondi rus ka deklaruar se marrëveshja rezultoi nga një seri takimesh që ajo organizoi duke filluar në tetor, pasi kërkonte të gjente një partner për të prodhuar doza të vaksinës ruse.

Sipas gazetës Il Messaggero, ministri italian i Shëndetësisë Roberto Speranza ka thënë se ai nuk është kundër përdorimit të Sputnik për sa kohë që merr rekomandimin e EMA.

Vaksina ruse ka marrë një vëmendje shumë të madhe kohët e fundit. Revista shkencore Lancet e konsideron këtë vaksinë si ndër më të mirat deri më tani për nga mënyra sesi është krijuar.

Klan News





Të ngjashme