Dronët bien pranë kufirit të Rumanisë, nuk ndalet eksporti i grurit

Rusia lëshoi një sërë dronësh në drejtim të qytetit-port ukrainas të Odesës buzë Detit të Zi, për të dytën ditë me radhë. Si pasojë u dëmtua një magazinë gruri, u dogjën dhjetëra kamionë dhe dy persona u plagosën. Sulmet detyruan autoritetet të pezullojnë shërbimin e trageteve mes Rumanisë dhe Ukrainës.

Policia kufitare rumune njoftoi se për shkak të sulmeve në Ukrainë, tragetet u ankoruan në brigjet rumune të Danubit, në Isaçea. Rusia goditi infrastrukturën e portit ukrainas dhe objektet e magazinimit të grurit gjatë një sulmi me dronë në portin e Izmail-it në rajonin e Odesës.

Pamjet e dëshmitarëve okularë të kapur nga një traget që kalonte nga Ukraina në Rumani treguan disa shpërthime të mëdha dhe të shtëna anti-ajrore.

Por pavarësisht strategjisë ruse për të dëmtuar infrastrukturën ukrainase të eksportit të grurit dhe ekonominë e vendit, Kievi po bën gjithçka të mundshme për të mbajtur gjallë linjat detare. Shtatë anije janë nisur nga Odesa përmes korridorit të përkohshëm humanitar të Detit të Zi. Sipas agjencisë Interfax të Ukrainës, autoritetet po bëjnë gjithçka për të garantuar sigurinë e zonës ku ndodhen anijet në ujërat territoriale.

Një ditë më parë Moska kreu një sulm me raketa dhe dronë duke vrarë dy persona në një magazinë gruri në Odesa, e duke dëmtuar rëndë një hotel të braktisur shumëkatësh. Forcat ajrore të Ukrainës bënë të ditur se rrëzuan 26 nga 38 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës. Kievi njoftoi gjithashtu se në 24 orët e fundit u vranë nëntë civilë dhe u plagosën 15 të tjerë.

Ukraina u është përgjigjur sulmeve duke lëshuar raketa ndaj flotës ruse të Detit të Zi. Të hënën forcat speciale të Ukrainës thanë se kishin vrarë komandantin e flotës ruse të Detit të Zi, admiralin Viktor Sokolov dhe 33 oficerë të tjerë në sulmin me raketa të javës së kaluar në selinë e flotës në portin e Sevastopolit.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk iu përgjigj pretendimeve rreth vdekjes së admiralit Sokolov, por publikoi videon e një takimi të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ku dukur dhe admirali Sokolov. Megjithatë është e pamundur të verifikohet se kur është zhvilluar mbledhja. Deri tani analistët nënvizojnë se prestigji dhe morali i ushtrisë ruse u godit rëndë nga sulmi ukrainas ndaj selisë së flotës së Detit të Zi.

Klan News