Ministria e Mbrojtjes e Rusisë thotë se forcat e saj kanë shkatërruar dhjetëra dronë në disa rajone anembanë vendit. Vladimir Rogov, një udhëheqës i instaluar nga Rusia në rajonin Zaporizhzhia të Ukrainës, tha të dielën se 2 dronë ukrainas kishin sulmuar një qendër votimi, duke i vënë flakën ndërtesës, por duke mos shkaktuar vdekje apo lëndime.
Më herët, autoritetet e Krasnodarit thanë se 17 dronë ishin lëshuar kundër rafinerisë së naftës në Slavyansk-on-Kuban dhe ishin neutralizuar, por njëri shkaktoi zjarr teksa ra. Nuk raportohet për viktima si pasojë e zjarrit, i cili është shuar. Kjo është rafineria e gjashtë e naftës e sulmuar në Rusi gjatë javës së kaluar.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin shkroi në Telegram se 4 dronë u rrëzuan në zona të ndryshme ndërsa fluturonin drejt kryeqytetit herët të dielën. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se 4 dronë u kapën gjithashtu në rajonin Yaroslavl në veri të Moskës. Incidente të tjera me dron janë raportuar në rajonet Kaluga, Oryol, Rostov dhe Kursk./tvklan.al