Rusia: Vdekja e Baghdadit fuqizon Trumpin, nëse ka ndodhur vërtet

Rusia: Vdekja e Baghdadit fuqizon Trumpin, nëse ka ndodhur vërtet

13:58 28/10/2019

Kremlini ka thënë të hënën se presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë një kontribut të madh në luftimin e terrorizmit ndërkombëtar, nëse është e vërtetë deklarata se është vrarë Abu Bakr al-Baghdadi, lideri i grupit militant, Shteti Islamik.

Trump ka njoftuar të dielën se Baghdadi ka kryer vetëvrasje gjatë bastitsjes së forcave speciale amerikane në Siri, si dhe ka falënderuar Rusinë, në mesin e vendeve tjera për mbështetjen që u kanë dhënë Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka mohuar të tregojë të hënën nëse Shtetet e Bashkuara kanë informuar paraprakisht Rusinë për këtë operacion.

Mirëpo ai u ka thënë gazetarëve se ushtria ruse ka vërejtur aeroplanët amerikanë dhe dronët në zonën në të cilën Uashingtoni ka thënë se ka kryer operacionin në Siri.

Nëse informacioni për vrasjen e Baghdatit konfirmohet, ne mund të flasim për kontributin serioz të presidentit të Shteteve të Bashkuara në luftimin e terrorizmit ndërkombëtar”, ka thënë Peskov.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se ka dilema në deklaratat e Trumpit, pasi aty nuk janë dhënë informacione të besueshme rreth operacionit amerikan, si dhe janë dhënë katër arsye pse versioni i SHBA-së duket i dyshimtë.

“Numri në rritje i pjesëmarrësve në operacion dhe shtetet që dyshohet se kanë qenë pjesë e ‘operacionit’, secili me detaje kontradiktore, rrit pyetjet dhe dyshimet nëse ka ndodhur dhe sa i suksesshëm ka qenë”, ka thënë kjo ministri.

Për dallim nga Kremlini, ministria po ashtu ka ulur rëndësinë e Baghdadit, duke thënë se edhe nëse konfirmohet vdekja e tij, sërish “nuk do të ketë rëndësi operacionale” në situatën në Siri apo në veprimet e militantëve të mbetur në rajonin Idlib të Sirisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar të dielën për vrasjen e Al-Baghdadit, në një sulm të forcave amerikane në fshatin Barisha të provincës Idlib, në veriperëndim të Sirisë.

Al-Baghdadi ka qenë një nga terroristët më të kërkuar në botë.

Në kulmin e fuqisë më 2014 dhe 2015, grupi Shteti Islamik ka kontrolluar një sipërfaqe prej 88,000 kilometrash katrorë që shtrihej nga Siria perëndimore në Irakun lindor. /REL




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi