Një ditë më parë, në debatin e mbrëmjes në emisionin “Opinion” në Tv Klan pati diskutime lidhur me numrin e aparaturave që ka Shqipëria për analizat e koronavirusit.

Për të zbuluar cili pretendim është i vërtetë, gazetarja e emisionit “Opinion” shkoi në repartin e Infektivit në ISHP për të parë nga afër aparaturat.

Specialistja tregoi dy aparatura, ndërsa një e tretë do të përdoret në rast se në një ditë bëhen më shumë se 1 mijë analiza.

“Janë dy pajisje të cilat kanë teknologji kimike. Kanë një teknologji të zbulimit të genomës virale apo dhe genomës bakteriale. Janë dy pajisje të cilat shërbejnë për diagnozën e disa nga patogenëve të cilët analizohen në laboratorin tonë, duke përfshirë dhe koronavirusin e ri”, tha specialistja.

Silvia Bino: Ky laboratori këtu lart është një laborator i cili përdoret për hepatitet dhe për HIV. Por në raste që ne do kemi më tepër mostra, pra mbi 500-1000 mostra, atëherë ne do të vëmë në shfrytëzim këtë laboratorin tjetër, i cili bën një numër më të kufizuar analizash dhe natyrisht sëmundjet respiratore janë ato që përhapen më shpejt. Prandaj dhe ky laborator do të vihet në funksion të epidemisë.  /tvklan.al