Në programin “Historia ime” në Tv Klan ishte i ftuar kreu i Konfindustrisë në vendin tonë, Gjergj Buxhuku.  

Në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e pandemisë dhe ndikimi që ajo ka në ekonomi, Buxhuku u shpreh se goditja që i ka dhënë ekonomisë është e madhe sepse nuk punohet, por konsumohet.

Gjithashtu sipas tij duhet të merrem masa proporcionale dhe të merret parasysh rreziku që kjo situatë paraqet për ekonominë.

Gjergj Buxhuku: Fakt është që sidomos tani kuptojmë që sa e fortë duhet të jetë karantina për Shqipërinë dhe shqiptarët, për biznesin shqiptar, për biznesin e vogël, për të vetpunësuarit. Domethënë ideja është që a kemi ne mundësi që ta menaxhojmë këtë krizë, në kuptimin proporcional të fjalës, pra masat të jenë përpjestimore. Nga njëra anë kemi rrezikun shëndetësor, nga ana tjetër kemi rrezikun e ekonomisë, rrezikun e ekonomisë vetjake në fund të fundit. Pra midis këtyre dy ekstremeve, një menaxhim profesional do thosha, do ishte që të gjendej një optimum midis këtyre dy pikave.

Mirela Milori: Sa e ka goditur ekonominë kjo situatë?

Gjergj Buxhuku: Goditja është shumë e fortë në fakt, se ju e kuptoni që është një komb, një shtet, një popullatë, e cila nuk punon, por konsumon. Domethënë goditja është shumë e fortë. Dhe goditja nuk ndihet në fakt vetëm për momentin, që natyrisht ndihet, por problemi është cilat do jenë pasojat e saj të shtrira në kohë, edhe kur atëherë nuk do ekzistojë më rreziku i pandemisë, pra i virusit, atëherë do kuptojmë se cilat do jenë pasojat e pandemisë ekonomike. Pra masat duhet të jenë proporcionale, se nuk është thjesht masë që t’i do karantinohesh, se kjo është e thjeshtë për të thënë. Problem është që t’i duhet të kuptosh që kur e karantinon popullatën, kategori të gjera të popullatës duke filluar nga qytetarët e thjeshtë, se ata janë klientët fundorë në fund të fundit dhe deri tek bizneset e mëdha dhe të vogla, këto kanë një faturë financiare nga mbrapa që dikush duhet ta paguajë./tvklan.al