U zhvillua në Tiranë takimi i dytë i grupit të punës së BE-së për Shqipërinë. Në këtë takim u diskutua rreth punës së bërë nga qeveria shqiptare mbi përmbushjen e kërkesave për nënshkrimin e marrëveshjes për asocimin në BE. Zëvendësdrejtori për Europën Juglindore në Drejtorinë e Përgjthshme të Marrëdhënieve me Jashtë me BE-në theksoi se: Kur ne filluam kishim një rrugë të madhe, por ne kemi qenë të aftë për të trajtuar shumë probleme brenda tre takimeve. Unë mendoj se kontrollet tona të punës janë përmirësuar gjithnjë e më tepër nga takimi në takim. Ne kemi shumë materiale përpara dhe kjo na ka bërë që të njihemi më mirë me gjendjen në Shqipëri. Do të paraqesim një raport të plotë përpara BE-së lidhur me përgatitjet që po bëhen këtu.

Ndërsa Pers Sorgan, i dërguari i ministres së Jashtme të Suedisë e cila ka presidencën e radhës të BE-së, ka deklaruar: Shqipëria vuan nga një korrupsion në shkallë të gjërë e cila minon përpjekjet si dhe institucionet shtetërore. Është me rëndësi imperative që institucionet t’a luftojnë këtë korrupsion dhe në mënyrë të tillë siç ishte planifikuar. Grupi drejtues inkurajon qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për të luftuar në këtë drejtim.

Në këtë takim u diskutuan dhe disa probleme të rëndësishme të cilat kishin të bënin me mbrojtjen e mjedisit natyror për të shmangur rreziqet e shëndetit të popullsisë, sigurimi i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm si dhe me luftën ndaj trafiqeve. BE dënon me forcë dhunën që ka shpërthyer në Maqedoni,ka deklaruar Sorgan. Pala shqiptare përfaqësohej nga Drejtori i Përgjithshëm për Integrimin Euroatlantik Artur Kuke si dhe ministri i Drejtësisë Arben Imami. Përfundimet e kësaj tryeze do t’i përcillen këshillit të ministrave të BE-së i cili do të vendosë për hapat e mëtejshëm shqiptarë drejt asocimit në BE./tvklan.al

Gazetare: Mirela Milori