E ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan gjinekologia Denisa Golemi foli sa i takon periudhës së shtatzënisë dhe kujdesit që duhet treguar sidomos gjatë tre muajve të parë. Ajo theksoi se tre mujori i parë është periudha më delikate, ku ka dhe numrin më të lartë të aborteve spontane.
Raste të tilla normalisht që ndikojnë shumë negativisht në shëndetin mendor të nënave. Megjithatë gjithçka mund të rikuperohet me kohën. Denisa Golemi sqaroi se sa kohë duhet që pas një aborti spontan të ketë një shtatzëni tjetër.
Fillimisht duhen marrë parasysh faktorët që çuan në abort dhe mosha e barrës, pra në çfarë muaji të shtatzënisë ka ndodhur aborti. Për gratë që i përkasin moshës në 35 vjeç, duhen minimalisht 6 muaj derisa trupi të marrë veten dhe hormonet të stabilizohen. Për gratë sipër moshës 35 vjeç, ku koha nuk është fort në krahun e tyre, rekomandohet pas 3 muajve të abortit.
Katerina Trungu: A mund të ngelet shpejt shtatzënë një grua pas një aborti spontan? Duhet të presë, si është rregulli i rekomanduar nga mjekët?
Denisa Golemi: Varet shumë se sa ka qenë mosha e barrës në të cilën është ndërprerë shtatzënia. Por, po referohemi kryesisht tek tre mujori i parë, që janë dhe abortet më të shpeshta, abortet spontane. Zakonisht ne themi që duhet pritur minimalisht një gjashtë mujor, gjithmonë nëse nëna është në atë grupmoshë rreth të 35-ve, sepse pas të 35-ve ne nuk e kemi luksin që të presim aq shumë dhe e kufizojmë pak më pak këtë hapësirë kohore deri në 3 muaj.
Normalisht trupi do kohën e vet që të përgatitet edhe fizikisht, që të marrë veten, të stabilizohen hormonet që kanë qenë të angazhuara në këtë shtatzëni, që krejt papritur është stopuar. Duhet të ketë kohën e vet kjo pjesë, që të bëjë rikuperimin e plotë të trupit dhe të jetë gati për një shtatzëni të radhës. Pastaj për mënyrën se si ka ndodhur ndërprerja dhe se në çfarë moshe ka qenë barra, këto janë specifika të tjera, të cilat duhen marrë në konsideratë./tvklan.al