Ballkani Perëndimor ka rëndësi të veçantë për Bashkimin Europian, thotë ministri i shtetit Michael Roth, në intervistë për DW, në kuadër të samitit për Ballkanin Perëndimor në Londër. Ndaj ky rajon nuk duhet lënë vetëm.

DW:  Zoti ministër i shtetit, këtu në Londër fillon Western Balkan Summit numër 5. Çfarë na pret, cilat janë objektivat e këtij samiti?

Michael Roth: Që të japim një sinjal të qartë që situata në Ballkan ka rëndësi të veçantë për Bashkimin Evropian. Ne deklarojmë mbështetjen për perspektivën në BE (të Ballkanit), në formulojmë shpresa, por edhe duam të ndihmojmë shumë konkretisht që të forcohet sundimi i ligjit, që të ketë para së gjithash perspektiva pozitive për brezin e ri, që të mund të kontribuojmë për bashkëpunimin rajonal dhe para së gjithash për pajtimin. Askush nuk lejohet ta lërë vetëm Ballkanin Perëndimor, pikërisht tani jo, ndaj në këtë kuadër kjo këtu në Londër është një konferencë e rëndësishme.

A do të ketë premtime të tjera financiare?

Ne kemi bërë shumë premtime financiare. Ajo që ka rëndësi tani është që projektet, për të cilat është rënë dakord edhe të përfundojnë me sukses. Këtu unë jam shumë i paduruar. Në anën e arritjeve ka disa gjëra pozitive që mund të përmenden, për shembull Zyra Rajonale e Rinisë të Ballkanit Perëndimor, e cila duhet të shërbejë para së gjithash për ta afruar brezin e ri. Këtu do të dëshiroja që të realizohen më tepër projekte. Është një fakt që të gëzon shumë, që ka pasur një sërë aplikimesh me projekte, të cilat ende nuk ka qenë e mundur që të miratohen, sepse mjetet financiare janë të kufizuara. Këtu të gjithë duhet të bëjmë më shumë.

Po e njëjta gjë duhet thënë për infrastrastrukturën. Ne patëm pak kohë më parë takimin e nivelit të lartë të digjitalizimit. Duhet të bëhet e qartë, që në fund edhe të mbërrijë diçka te njerëzit në Ballkanin Perëndimor, pikërisht vende pune e edhe ndjesia, se nuk i kanë lënë vetëm.

Në përgatitjen e takimit të krijohet përshtypja se pikërëndesa e këtij takimi të nivelit të lartë është tema e sigurisë. Po ta teproj pak: a mund të thuhet se deri tani u bë fjala për rininë, kjo është pikënisja gjermane, pastaj u bë fjalë për bashkimin doganor dhe për një pikënisje ekonomike, të cilin e përfaqëson Komisari dhe tani britanikët vunë temën e sigurisë në rend të parë. A është një vëzhgim i saktë ky? A është kjo një tendencë?

Ne natyrisht do të hedhim edhe njëherë vështrimin se çfarë u nis në procesin e Berlinit dhe ku duhet të këmbëngulim edhe një herë, çfarë nuk ka ndodhur ende dhe çfarë ka ndodhur. Pra gjithnjë ka një proces pasues, por është shumë e drejtë që ne theksojmë edhe rëndësinë në politikën e sigurisë të Ballkanit Perëndimor. Këtë me sa duket ende nuk e kanë të qartë të gjithë: sa më i qendrueshëm dhe më i sigurtë Ballkani Perëndimor, aq më mirë është për Bashkimin Evropian. Ai është fqinji ynë, ka një sërë shtetesh anëtare të BE, të cilët shtrihen në fqinjësi të drejtpërdrejtë me Ballkanin Perëndimor, pra ai nuk është një rajon që është shumë i largët. Dhe ekziston fusha e migrimit, ekziston fusha e luftimit të terrorizmit, ekziston para së gjithash fusha e përhapjes së armëve të kalibrit të vogël…

(A mund të ngul këmbë pak?) Për temën e sigurisë edhe për Evropën është shumë e qartë që ka rëndësi tema e luftimit të arsyeve të arratisë, e mënjanimit të arratisë, e migrimit. Si tematizohet kjo në këtë samit për Ballkanin, në bashkëpunim me shtetet e Ballkanit Perëndimor?

Ne nuk duhet t’i lëmë vetëm shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në vitet e shkuara disa shtete kanë arritur suksese të konsiderueshme si shtete tranzit, atje janë pranuar shumë refugjatë dhe këtë ne duhet ta vlerësojmë lart dhe çmojmë. Kemi nevojë për një strategji gjithëevropiane dhe prandaj një politikë migratore, e cila konceptohet pa Ballkanin Perëndimor, nuk mund të jetë një politikë e suksesshme dhe e qendrueshme.

A mund ta konkretizoni këtë në lidhje me të gjithë temën e pranimit të refugjatëve, të izolimit të kufijve? Si do të integrohet Ballkani Perëndimor në këtë drejtim për mendimin tuaj?

Natyrisht që ne kemi një kufi të jashtëm të BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor, por ne nuk duam të ndërtojmë një “kështjellë Evropë”. Prandaj është shumë, shumë e rëndësishme që të bashkëpunojmë me shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat edhe mbajnë një përgjegjësi, dhe që t’i ndihmojmë ato që të jenë në gjendje t’i përgjigjen si duhet kësaj përgjegjësie. Pra këtu bëhet edhe fjalë edhe për solidaritet.

Pyetja e fundit: Ne këtu jemi në Londër, Londra është kryeqytet i një vendi, i cili është larguar nga BE dhe njëkohësisht këtu bëhet fjalë për një perspektivë anëtarësimi në BE të gjashtë shteteve ballkanike. A nuk kemi këtu një kontradiktë në njëfarë mase? Si e shikoni këtë?

Mbretëria e Bashkuar ende është pjesë e Bashkimit Evropian. Po të dëgjonin mendimin tim personal, britanikët as nuk do të dilnin, por në fund ata duhet të vendosin vetë. Dhe për aq kohë sa të jetë anëtare e BE, Britania e Madhe duhet të veprojë në përputhje me përgjegjësinë e saj. Dhe gjendja në Ballkanin Perëndimor u intereson jo vetëm gjermanëve ose austriakëve, por duhet të na interesojë të gjithëve dhe të gjithë ne mbajmë përgjegjësi për demokracinë, për sigurinë dhe për stabilitetin, por edhe për mirëqënien e njerëzve të Ballkanit Perëndimor dhe në qoftë se britanikët duan të japin për këtë një kontribut konkret, ai është shumë i mirëpritur./DW