Sa një kokërr orizi! Zbulohen grimca plastike në zemrën e njeriut


Sa një kokërr orizi! Zbulohen grimca plastike në zemrën e njeriut

13:51 15/09/2023

Zemra e njeriut përmban fragmente të vogla plastike. Kështu raportohet pas studimit të kohëve të fundit nga ana e ekspertëve shëndetësorë.

Mësohet se studiuesit përdorën imazhe infra të kuqe dhe mikroskop elektronik skanues për të studiuar mostrat e indeve të zemrës dhe gjakun e 15 pacientëve që i nënshtroheshin operacioneve kardiake. Pas analizave, ata gjetën 9 lloje të copëzave mikroplastike në indet e zemrës. Megjithatë sasia e tyre ishte e ndryshme në varësi të pacientëve.

Grimcat ishin përgjithësisht më pak se 5.08 milimetër të gjata, thuajse sa një kokërr orizi.

Në fakt, më parë shkencëtarët kanë konstatuar mikroplastikë në ajrin, ushqimin, ujin, mushkëritë, gjakun dhe indet e tjera të trupit tonë. Megjithatë, s’ka pasur prova të mjaftueshme për praninë e këtyre grimcave në zemër.

Përveç gjetjes së mikroplastikës në zemër, studimi i ri tregoi se, në një farë mase, vetë operacioni kardiak i ekspozon pacientët ndaj këtyre grimcave.

Deri më tani, studimet nuk kanë gjetur prova se mikroplastika në trup shkakton dëm, por kjo është një fushë kërkimi në zhvillim dhe shumë ekspertë kanë shqetësime. Kjo sepse disa grimca përmbajnë kimikate toksike.

“Ka kaq shumë të panjohura për organizmin e njeriut. Mikroplastika mund të ndikojë në biologjinë njerëzore,” tha Bernardo Lemos, një profesor i Shëndetit Publik në Harvard.

Po ashtu, një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i vitit 2022 bëri thirrje për më shumë kërkime, por edhe për reduktimin e plastikës në mjedis.

Përveç shqetësimeve për shëndetin e njeriut, mikroplastika ka ndikime të tjera në planet. Kjo është dhe arsyeja pse shkencëtarët po punojnë për metoda inovative që mund të ndihmojnë në pastrimin dhe zbërthimin e saj.

Ndërkohë, për të reduktuar ekspozimin tonë personal, ne mund të marrim masa paraprake si shmangia e ngrohjes ose konsumimi i ushqimeve në enë plastikë./tvklan.al











Të ngjashme