Konspiracion mbi shifrat e dhëna nga institucionet

A është Covid-19 një pandemi reale? A po shkakton vërtetë ajo aq viktima sa thuhen, apo në numrin e përgjithshëm futen edhe persona që mund të kenë gjetur vdekjen nga shkaqe të tjera?

Përgjigjet që japin institucionet e specializuara për këto pyetje nuk mjaftojnë, pasi teoritë konspirative po e shoqërojnë pandeminë në mbarë botën.

Në Shqipëri së fundmi në diskutim janë vënë shifrat që po jep Ministria e Shëndetësisë për pacientët në dy spitalet Covid.

Ka mjaftuar një intervistë e Silvana Balës, shefes së pavionit të Pneumologjisë në spitalin Shefqet Ndroqi, dhënë javën e shkuar në Tv Klan, për të nxitur dyshimet.

Bala tha se po trajtoheshin 210 pacientë. Një pjesë e tyre rezultonin negativë ndaj testeve të Covid, por gjithsesi po trajtoheshin për këtë virus për shkak se kishin simptomat që shfaq ai.

Ministria e Shëndetësisë thotë se në raportimet e saj flitet vetëm për pacientët që janë të konfirmuar me Covid-19 dhe jo për ata që janë të dyshuar.

Në të dy spitalet Covid po trajtohen rreth 120 pacientë të konfirmuar pozitivë.  Ndërsa pjesa tjetër e pacientëve janë të dyshuar për Covid-19, pasi tamponi rezulton negativ, ndërsa skaneri i mushkërive tregon vatra të theksuara në pulmona.

Numrin e këtyre rasteve të dyshuara institucionet nuk e bëjnë publike. Ministria e Shëndetësisë nuk sqaron as numrin e të infektuarëve në secilin prej spitaleve, duke e nxitur edhe më tej sa kakofoninë e shifrave që qarkullojnë në publik, aq edhe konspiracionin.

Burime nga Spitali Infektiv thanë për Tv Klan se në këtë spital janë të shtruar rreth 90 pacientë, ndërsa në spitalin Shefqet Ndroqi vetëm në 1 nga 3 pavionet po trajtohen rreth 43 pacientë.

Tv Klan