Kryeministri Edi Rama në rrëfimin e tij të rrallë në emisionin “Opinion” në Tv Klan  përballë gazetarit Blendi Fevziu ka treguar si ka ndërtuar shtëpinë e tij në Surrel, për të cilën është akuzuar shumë herë nga opozita.

Rama tha se shtëpia është ndërtuar në tokën e bashkëshortes së tij dhe shtoi se gjithçka është meritë e saj. Më tej ai foli dhe për pasurinë duke e konsideruar veten si një njeri që nuk ka pasur pasione tw shtrenjta.  

Blendi Fevziu: Folët për një apartament ndërkohë që jeni në një vilë.

Kryeministri Edi Rama: E para vetëm vilë që nuk quhet ajo. E dyta është një, nga thuajse gjysmë milionë shtëpitë që janë ndërtuar në Shqipëri. Në shtëpinë ku jetojmë ne, ngado të kthesh kokën janë vila 3-4 katëshe dhe nuk ka asnjë politikan aty. E treta, unë vetë deri ditën kur jam bërë burri i Linda Ramës dhe kam shumë fat që jam burri i Linda Ramës, unë kam pas idenë që: Pse duhet të kem unë shtëpi? Unë jetoj me qira. Shtëpitë e mia me qera janë gjithmonë minimaliste.

Linda kishte një tjetër ide: Që shtëpia është një hapësirë ku zhvillohet historia e përditshme e një familjeje dhe ku mblidhen kujtimet dhe janë pasuri edhe e fëmijëve. Në atë kohë ajo kishte një tokë që në fillim të viteve 2000 kur nuk ishim fare me njëri-tjetrin dhe erdhëm tek ideja për ta bërë atë shtëpi. Është kontributi i saj për ta bërë atë shtëpi. Është një hapësirë e shtrirë në një kat. Ka një veçanti që muret e jashtme dhe të brendshme i ka një, por do vijë dita që me siguri do jetë pikë referimi nga pikëpamja e arkitekturës.

Blendi Fevziu: Sa para ka Edi Rama?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk kam asnjë qindarkë në xhepin tim që është fituar nga puna e të tjerëve. Për një arsye shumë të thjeshtë, se unë e kam patur shumë të qartë që në këtë botë jemi për të kaluar, jo për të ndenjur./tvklan.al