I ftuar mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan, Ministri i caktuar për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga koronavirusi, Arben Ahmetaj i është përgjigjur disa prej pyetjeve që shqetësojnë qytetarët në këtë gjendje fatkeqësie natyrore.

Lidhur me situatën e shkaktuar nga koronavirusi dhe krizën ekonomike, gazetari Blendi Fevziu e ka pyetur ministrin se sa kohë parashikohet që shteti shqiptar mund të rezistojë për të paguar pensionet dhe ndihmat, apo nevojat e tjera jetësore të qytetarëve, pyetje kjo për një skenar hipotetik…

Sa kohë mund të rezistojë shteti Shqiptar?

Nuk do lihet asnjë pagesë, që nga pensionet, pagat, ndihmat, shërbimet e shëndetësisë, policisë, asnjë pagesë nuk ka për të ngelur pa u bërë. Shteti punon me plane afatgjata për likuiditetin. Ne jemi qeveri e besueshme. Nuk është klishe, por ka të bëjë me këto 5 vite të fundit. I kemi gjetur paratë. Sot ankandi jonë prej 10 miliard lekësh shkoi shkëlqyer. Ju garantoj se strategjia e likuiditetit është e konsoliduar, afatgjatë dhe me disa skenarë”, u shpreh Ahmetaj.

Sa u takon atyre që kanë punuar në të zezë dhe sot janë të papunë, Ahmetaj tha se këto familje të cilat janë të varfra do të ndihmohen përmes pakove ushqimore dhe medikamenteve të nevojshme.

“Ka disa familje brenda atij fenomeni, një pjesë që janë realisht të varfër dhe një pjesë që kanë informalitet tek deklarimi i pagës… unë po flas për pjesën e në nevojë, që sigurisht nuk është aspak e mjaftueshme, por është ndihmë, dhe janë pikërisht ndihmat nëpërmjet ministrisë së mbrojtjes”.

Ndërkaq Ahmetaj ka folur edhe për planin e rimëkëmbjes pas përfundimit të kësaj situate, duke thënë se qeveria do t’i ndihmojë bizneset që janë prekur nga kjo krizë. /tvklan.al