Familja e Arjan Salës mori sot titullin “Dëshmor i Atdheut”, që iu dorëzua gjatë një vizite në shtëpinë e të ndjerit nga Kryeministri Edi Rama. Pas marrjes së këtij titulli, në një prononcim për gazetarët xhaxhai i tij, tha se ky xhest e lehtësonte sadopak dhimbjen.

“Dhimbjen nuk do ta kthejmë në show, dy gjëra të vogla do them. Kanë ardhur nga Ilir Meta, Edi Rama, të gjithë politikanët, të majtë të djathtë, të qendrës, të gjithë. Nuk na lanë vetëm në këto kohë ngushëllimi. Nuk duam ta politizojmë çështjen, kemi dhimbjen tonë që po na shkatërron. U dorëzua certifikata “Dëshmori i Atdheut” dhe mendoj se ishte më e mira e mundshme që të na lehtësojë pak dhimbjen. Mendoj sa të qanin shumë nëna, po qan vetëm një nënë sot. Sa të qanin shumë baballarë, qan vetëm një baba sot”.

Arjan Sala, u shua në moshën 32-vjeçare pasi shpëtoi nga flakët të paktën 20 punëtorë të tjerë. I riu punonte si roje sigurie në një qendër tregtare në kryeqytet, aty ku të mërkurën e shkuar, flakët që përfshinë një magazinë i morën atij jetën./tvklan.al