Mposhti rivalin konservator me origjinë xhamajkane

I pari kryebashkiak mysliman i Londrës, Sadiq Khan do të drejtojë kryeqytetin britanik edhe për 4 vite të tjera. Laburisti triumfoi në zgjedhjet bashkiake të së shtunës me mbi 55%, përballë Shaun Bailey me origjinë nga Xhamajka, rivalit të partisë konservatore të kryeministrit Boris Johnson, i cili ka drejtuar Bashkinë e Londrës para zgjedhjes së Sadiq Khan-it në 2016-ën.

50-vjeçari Sadiq Khan ka lindur në Londër dhe është djali i 5-të mes 8 fëmijëve të një çifti emigrantësh nga Pakistani. Përveçse i pari kryebashkiak mysliman, Khan ka thyer edhe tabutë duke shërbyer si i pari ministër i tillë në një qeveri britanike, gjatë kabinetit të Gordon Braunit, kur drejtonte transportet.

Ish-avokati megjithatë është përballur me shumë kritika gjatë drejtimit të bashkisë së Londrës. Ajo që i shihet si dështimi kryesor është rritja e kriminalitetit, veçanërisht e sherreve me thika mes adoleshentëve.

Tv Klan