Saga e Elbasanit, arrestohet në Greqi vrasësi i Gentian Beqirit

Gentian Beqiri dhe babai i tij Nezir Beqiri


Saga e Elbasanit, arrestohet në Greqi vrasësi i Gentian Beqirit

11:16 11/10/2020

Është arrestuar në Greqi autori i dyshuar i vrasjes së Gentian Beqirit në Elbasan më 15 Gusht të 2012-s. Jorgo Leku, 41 vjeç, i njohur edhe me tre identitete të tjera si Olsi Leka alias Giorgo Lekou alias Jorgo Lekou është vënë në pranga nga Interpol Athina pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare.

Më 12 Qershor të këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë të Elbasanit i ka caktuar 41-vjeçarit masën e sigurisë arrest me burg për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Jorgo Leku akuzohet se më datë 15 Gusht të 2012-s në lagjen “Çlirimi” në Elbasan ka vrarë me armë zjarri Gentian Beqirin alias Ardian Meta dhe babain e tij Nezir Beqirin. Gentian Beqiri në momentin e vrasjes ishte në banesën sepse i ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Gentian Beqiri ka qenë dënuar si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005.

Në lidhje vrasjen e Beiqirit është ekstraduar nga Italia vitin e kaluar Etien Cani. Ai ishte shpallur në kërkim si një nga autorët e vrasjes së dyfishtë. Beqiri ruhej nga efektivë të policisë, por autorët përdorën pikërisht Etien Canin për të hyrë brenda, pasi ai ishte shok fëmijërie me viktimën.

Për vrasjen e dyfishtë është arrestuar vitin e kaluar edhe 36-vjeçari Ervis Bardhi, që dyshohet se bashkëpunoi me Canin. Beqiri u qëllua me 4 plumba me një arme me silenciator teksa flinte gjumë në shtratin e tij, ndërsa i ati u dhuna barbarisht nga autorët ndërsa ndërroi jetë edhe për shkak të një infarkti. Beqiri ishte i paralizuar pasi në tentativë për t’i ikur policisë ai ishte hedhur nga një mur i lartë duke pësuar dëmtime të shtyllës kurrizore dhe prej 6 vitesh qëndronte në banesën e tij.

Sipas policisë kjo vrasje ishte në vazhdimësinë e një hasmërie të gjatë mes dy fiseve në Elbasan dhe që ka shkaktuar në vite disa të vrarë.

Mes viktimave është edhe vëllai i Gentian Beiqirit, Saimir Beqiri, i cili u vra orët e para të mëngjesit të 11 Prillit të 2016-s në Elbasan. Ai u gjet i pajetë në oborrin e një lokali në dalje të qytetit./tvklan.al




Të ngjashme