Vrasja e Gjin Ndojit alias Gjin Boriçi, mendohet të jetë kryer për gjakmarrje. Një sagë vrasjesh që nisi që në vitin 1997. Atëkohë, babai i Gjinit, Ndoji, ndërhyn për të shuar një konflikt mes dy fqinjëve të tij, por fatkeqësisht një ndërhyrje e tillë rezultoi fatale për të. Ai u qëllua për vdekje me disa plumba automatiku. Me të parë trupin e pajetë të Ndojit, vëllai i tij, xhaxhai i Gjin Ndojit, ndërhyn për të marrë hak. Qëllon mbi personin që i vrau vëllain.

Kështu, sipas kanunit, dy fiset mbyllën gjakun. Por disa vite më vonë, Gjin Ndojit, i vritet vëllai. Kjo ndezi edhe njëherë sagën e gjakmarrjes. Natën e Bajramit të disa viteve më parë, 27-vjeçari shkon në një lokal në Shkjezë dhe iu kërkon llogari tre të rinjve të fisit të kundërshtarëve. Sipas burimeve, ata mohojnë vrasjen e të vëllait, ai qëllon mbi të tre, duke i lënë të vdekur në vend.

Për këtë vepër penale ai u dënua me disa vite burg, por arriti t’i shpëtojë drejtësisë. Ndërsa vrasja e tij, një ditë më parë, thonë burimet, mendohet të ketë ardhur si pasojë e këtij akti të kryer nga ai. Gjin Ndoji ka edhe një vëlla tjetër, gjë që rrit mundësinë që kjo sagë gjakmarrjeje të vazhdojë ende. Në vendin tonë, një fenomen të tillë drejtësia nuk ka mundur ta zgjidhë ende. E këtij lloji ishte edhe vrasja e Hekuran Billës pak muaj më parë. Edhe pse autorët shkojnë në burg, ata arrijnë të dalin nga qelitë e më pas vriten nga kundërshtarët.

Gjin Ndoji alias Gjin Boriçi, 27 vjeç, gjet i pajetë anës rrugës Lezhë-Shkodër, në fshatin Shkjezë. Ai kishte plumba në kokë. Në vendin e ngjarjes u gjetën katër gëzhoja kallashnikovi. Duke përfituar nga ndryshimi i mbiemrit, i riu kishte mundur të lëvizte lirshëm nëpër vende si Italia dhe Holanda. Ditën e djeshme ai udhëtonte me një automjet të marrë me qira. Ndërsa makina e përdorur nga autorët u gjet e djegur disa kilometra më tutje. Targat e saj rezultonin të ishin të vjedhura në zonën e Ishmit.

Klan Plus

Gazetare: Aida Topalli