Një tjetër grabitje e armatosur dhe sërish objektiv ka qenë një pikë karburanti.

Policia e Durrësit thotë se tre persona të maskuar dhe të armatosur i kanë marrë xhiron ditore rojeve të një pikë karburanti në afërsi të Mbikalimit të Fllakës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:50.

Në bazë të dëshmisë së rojeve grabitësit kanë arritur të marrin rreth 150 000 -200 000 lekë (të rinj). Më pas autorët janë larguar me një automjet tip “Ford”.  Policia thotë se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Pikat e karburantit kohët e fundit kanë qenë objekt i grabitësve, sidomos ato që janë në autostradën Tiranë-Durrës, apo në Fushë-Krujë.

Rreth dy muaj më parë në Sarandë, gjatë grabitjes së një karburanti u vra roja Artan Hoxha. Autori, Arqile Koçi, i cili mori nga arka 60 mijë lekë të reja, u arrestua disa orë më vonë.  

Për të shmangur ngjarje të tilla ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ka kërkuar vendosjen e automateve elektronike për pagesën, kamera me rezolucion të lartë si dhe të lidhin çdo pikë me sinjal alarmi me sallën e komandimit./tvklan.al