Pak ditë më parë emisioni “Stop” trajtoi rastin e tenderit abuziv për stadiumin e Përrenjasit, me vlerë 1 miliardë lekë. Përpos gjithë procedurës, edhe fituesi “Kompania Zdrava”, ishte i paracaktuar përmes shumë favorizimeve.

Vetëm një ditë pas transmetimit të këtij skandali, në 13 Shkurt, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet kryesisht nisur nga gjithçka u trajtua në program.

Hetimi bëhet për veprat penale “shpërdorim të detyrës” dhe “shkelje e barazisë në ankande publike e tendera”.

Gazetarja e “Stop”: Pas rastit të transmetuar në emisionin “Stop”, për sa i përket tenderit për Stadiumin e Përrenjasit dhe mënyrën e tenderimit, shpalljen e fituesit dhe qëndrimin e Bashkisë së Përrenjasit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ku vetëm të nesërmen pas transmetimit të këtij emisioni, me datë 13 Shkurt 2019,  ka nisur procedimin penal për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, apo ankande publike. Shkas për këtë procedim penal kanë qenë pamjet filmike të marra nga emisioni investigativ “Stop”. Gjithashtu prokurori i çështjes ka sekuestruar edhe aktet e procedurës së prokurimit.

Drejtuesi i Emisionit Stop, Saimir Kodra, falenderoi Prokurorinë e Elbasanit: “Me dashamirësinë më të madhe ju them punoni mirë dhe bukur djema. Kthejini taksat e njerëzve që i ka abuzuar Miranda Rira, atje ku duhet.”

Ndërsa në fund kishte një mesazh edhe për kryebashkiaken Miranda Rira. “Miranda Rira, hesapet me “Stop”-in, i ke me “Stop”-in dhe i ke bërë hesapet pa hanxhinj. Bëj gati ca para, për të na dëmshpërblyer. Puç, puç”, tha Kodra. /tvklan.al