Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka ankimuar vendimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për zgjatjen e afatit të hetimeve ndaj tij. Ai ka kërkuar që çështja në ngarkim, të shkojë në Gjykatë pasi vendimi për shtyrjen e afateve është i pabazuar në ligj dhe në prova. Tv Klan ka siguruar letrën e ankimimit.

Tahiri, përmes avokatit të tij mbrojtës, shprehet se, nga nisja e hetimeve janë shtyrë 5 herë afatet e hetimeve nga Prokuroria. Sipas palës mbrojtëse, zgjatja e afatit nga ana e organit të akuzës bëhet vetëm me qëllimin për të zvarritur hetimet dhe për të vonuar dhënien e drejtësisë. Në shkresë, ish-ministri shkruan se i kërkon Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda që të përfundojë hetimet për të. Aktualisht Saimir Tahiri po hetohet në gjendje të lirë.

Ish-ministri i Brendshëm akuzohet se ka bashkëpunuar me grupin e Habilajve për trafikim të lëndëve narkotike dhe shpërdorim detyre. Më 17 Janar të këtij viti, Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi se do të zgjasë edhe me tre muaj afatet e hetimit për ish-ministrin Saimir Tahiri. Shkak për zgjatjen e hetimeve është bërë letër-porosia që autoritetet shqiptare i kanë dërguar Malit të Zi dhe Catanias. Përgjigjia ende nuk ka ardhur dhe dosja nuk mund të dërgohet për gjykim nëse nuk ka përfunduar procesi i hetimit.

Tv Klan