Ish-ministri i Brendshëm dhe ish-deputeti socialist, Saimir Tahiri ka uruar 27-vjetorin e Partisë Socialiste. Në një postim në rrjetet sociale, Tahiri thotë se jeta ka momente të vështira dhe këtë gjë e ka kuptuar më së miri me situatën që po përjeton.

Megjithatë, thotë ish-ministri Tahiri, e afërt do të jetë dita kur do të ringrihen dhe për të mos u përkulur përpara padrejtësisë.

“Nga 27 vjet, kam jetuar pak më shumë se gjysmën e tyre mes shumë burrash e grash, të rinj e të reja në PS. Disa nuk jetojnë më, të tjerë jeta u ka hapur rrugë të reja, shumë janë ende e shumë bashkohen. Kam pasur privilegjin të njoh shumë, të flas, të debatoj e mbi të gjitha te ndjej mbështetjen e shumë prej tyre në çdo moment. Akoma më shume sot.

Momente të veshtira ka gjithmonë, jeta ma solli ta kuptoj shumë mirë këtë. Ka plot të tjerë që kanë pare e shohin keq e më keq ama. E ndoshta as flasin dot. Por dikur, do ringrihemi! Herët, më shumë se vonë. Për gjithçka nuk bëmë dot, e gjithçka duhet të bëjmë për të mos u përkulur para padrejtësisë.

Për të dobtin që do zë, të varfrin që do një shans, të mundurin që do drejtësi, të pastrehun që do shtëpi, të papunin që do pune, të aftin që do meritë, të gjithë në Shqipërinë tonë, 27 vjet janë mjaftueshëm për të kuptuar ku do hedhim këmbën e radhës. Gëzuar”,

shkruan Tahiri në rrjetet sociale.

Saimir Tahiri po hetohet në gjendje të lirë për dyshimet si i përfshirë në trafikun e drogës me Habilajt nga Vlora drejt Italisë. Ishte Apeli i Krimeve të Rënda që i hoqi masën e sigurisë arrest shtëpie, të dhënë më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

/tvklan.al