Sakrificat e nënës: Djalin 18 muajsh e dërgova me një të panjohur nga Kanadaja në Shqipëri (Video)

Sakrificat e nënës: Djalin 18 muajsh e dërgova me një të panjohur nga Kanadaja në Shqipëri (Video)

15:13 17/02/2019

Kur miqtë vijnë nga larg edhe emocionet i sjellin më të forta. Këtë do na e tregojë Aida dhe djali i saj Peter të cilët sapo kanë ardhur nga Kanadaja për të ndarë një histori në studion e “Ka një mesazh për ty” në “E diela shqiptare” në Tv Klan, e për të bërë një lutje për prindërit Lefter dhe Fatbardha.

Aida nga Vlora është larguar para 20 vitesh nga Shqipëria drejt Greqisë, ku ka jetuar me ish-bashkëshortin. Lidhja e tyre me shkuesi nuk zgjati shumë. Ndenjën dy vite e gjysmë atje dhe më pas vendosën të shkonim në Kanada për një jetë më të mirë të cilën e kishin gjetur edhe në Greqi. Në Kanada kishin probleme me dokumentat. Nga stresi i tepërt, Aida humbi fëmijën e parë, ndërsa më pas vjen në jetë Peter.

“Nuk mund ta mendoja të rrisja një fëmijë në lot, sepse ato lot zbrisnin në faqen e tij. Pas disa problemeve ai u largua në Shqipëri dhe unë isha vetëm. Prindërve nuk i tregova për largimin e tij. Aty u detyrova që djalin ta çoja në “babysitter” (dado), sepse nuk ishte e lehtë dhe fillova një punë të dytë. Kishte momente që djalin nuk e shihja për tre ditë. Fillova të bëja tre punë vetëm për Peterin. Më vonë e dërgova në Shqipëri me një të panjohur tek prindërit në Vlorë, sepse nuk e mbaja dot në Kanada. Ai ishte vetëm 18 muajsh. Dërgoja fotografi çdo tre muaj, sepse mendoja se do më harronte fytyrën. Kur ishte 5 vjeç e gjysëm erdha në Shqipëri, por nuk e mora dot, sepse nuk kisha të gjitha dokumentet që i ati nuk i jepte. Peteri nuk ka marrëdhënie dhe nuk e njeh të atin.

Një vit më vonë, në moshën 6 vjeç e gjysëm djali erdhi në Kanada, në Toronto, dhe më rrinte larg, sepse ishte shumë i dhënë pas gjyshes. Ai donte të flinte me gjyshen në një krevat dhe e detyroi atë të vinte në Kanada”.

Aida tregon se e ëma e ka ndihmuar shumë, ajo e ka rritur djalin e saj, kujdesej për të, e dërgonte në shkollë dhe punonte për një ekonomi më të mirë.

Prindërit e saj kanë rritur katër fëmijë, kanë sakrifikuar shumë. I ati ka shkuar disa herë në Kanada, por nuk do të rrijë atje.

Djali Peter tregon se me gjyshen ka qenë gjithmonë më afër se me gjyshin. Tani është 16 vjeç, por ka filluar punë që 14 vjeç dhe gjithashtu studion në shkollë. Gjyshja tani ka pasaportën kanadeze dhe ikën herë pas here në Kanada.

Në studion e emisionit “E Diela Shqiptare”, pas mesazhit të dërguar nga gazetari, erdhën dy prindërit e Aidës, zoti Lefter dhe zonja Fatbardha nga qyteti i Vlorës. Zoti Lefter në muajin Dhjetor iu nënshtruar një operacioni në zemër dhe nuk mundi t’i mbante lotët dhe emocionet pasi pa nipin e tij bashkë me vajzën, dhe i kërkoi Ardit Gjebreas që të bashkoheshin pa pritur më gjatë, duke i prishur surprizën dhe fjalimin e gjatë të tyre.

Ardit Gjebrea:

Ata duan që ti të shkosh në Kanada.

Lefteri:

E pamundur.

Megjithëse Lefteri nuk thyhet kollaj për të marrë vendimin që të jetojë me vajzën dhe nipin në Kanada, jemi të bindur që zemra e tij, njëlloj si e zonjës Fatbardha, është kudo me ta. Për gjyshërit është e vështirë shprehja “larg syve, larg zemrës”. 

/tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT