Saktësimin e adresës, nga sot çdo qytetar mund ta bëjë pa patur nevojë të shkojë në zyrën e Gjendjes Civile. Ky është shërbimi i ri online, i ofruar nga Gjendja Civile në bashkëpunim me AKSHI-n. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj ka shpjeguar hapat e thjeshtë që ndiqen për të kryer gjithë procedurën, që merr fare pak kohë. Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko theksoi se veç këtij procesi, po vijon puna për të plotësuar bazën e të dhënave përmes vetëdeklarimit të adresës së shqiptarëve që jetojnë jashtë, por edhe me kompletimin e sinjalistikës në njësitë vendore.

“Pas tre dekadash i japim fund një problemi shumë të gjatë në fakt të mungesës së adresave të shtetasve shqiptarë. Bashkimi i regjistrit të shtetasve me regjistrin e  adresave, ka krijuar tani një regjistër të konsoliduar ku shteti shqiptar e ka të qartë dhe të konsoliduar se ku ndodhen shtetasit e vet. Me shërbimet e reja online gjithashtu, ju keni mundësi të saktësoni adresën tuaj nëpërmjet shërbimit e-Albania, të aksesueshëm nga kompjuteri i shtëpisë, nga celulari juaj, duke evituar kështu të gjithë kalvarin e vajtjes nëpër zyra, të burokracive, apo të kohës së humbur”, tha Kuko.

Dy hapat e tjerë të radhës të rëndësishëm janë, e para, vetëdeklarimi i shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë; kjo për të konsoliduar adresën e tyre në mënyrë që të marrin shërbime dhe të kenë mundësi të zgjedhin; dhe hapi i dytë është, konsolidimi i infrastrukturës dhe të gjithë sinjalistikës me njësitë vendore, në të gjitha bashkitë e Shqipërisë.

“Prej më shumë se një vit Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Ministria e Brendshme, ka filluar procesin e “popullimit”, ku janë bërë importimi i të dhënave sipas procesit në data bazën qendrore të DPGJC, në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, dhe sot kemi një shtim të numrit të personave, që kanë saktësuar adresën e tyre.  Por për të lehtësuar punën dhe për t’u qenë sa më pranë qytetarëve në këto ditë të fillimit të vitit, ne sot po lançojmë edhe projektin e ri së bashku me AKSH-in”, tha Doracaj.

Sot, çdo shtetas shqiptar i cili ka një adresë të pasaktësuar ende, mund ta saktësojë adresën duke u loguar në platformën e-Albania, me kredencialet e tij, dhe menjëherë, një nga rubrikat që shfaqet aty, është rubrika e saktësimit të adresës.

Kliko këtu për linkun e E-Albania

Është shumë e thjeshtë, mjafton që qytetari të logohet, të japë kredencialet e tij, të klikojë te “bashkia”, më pas te “njësia administrative” dhe kështu me radhë te të gjithë rubrikat përbërëse të gjendjes civile për të saktësuar adresën e tij, duke ngarkuar thjesht një dokument, i cili e lidh vetë personin, shtetasin, me adresën ku ai banon dhe në pak minuta adresa saktësohet nga nëpunësi i zyrës së Gjendjes Civile, i cili e merr informacionin nëpërmjet Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.

Kjo është një risi tjetër, që u vijmë në ndihmë qytetarëve duke lehtësuar dhe duke eliminuar prezencën e tyre fizike pranë zyrave të Gjendjes Civile. Vetëm pak minuta, në platformën e-Albania, për të bërë saktësimin përfundimtar të adresës dhe shtetasi të ketë një adresë të rregullt, funksionale, nëpërmjet të cilës pastaj mund të përfitojë të gjitha shërbimet që lidhen me adresën./tvklan.al