Deri në Janar të vitit të ardhshëm Autoriteti i Mediave Audiovizive do të ketë një qasje tjetër në fushatën e komunikimit me qytetarët sa i përket kalimit të transmetimeve nga analoge në digjitale. I ftuar në studion e ABC News, kreu i këtij Autoriteti Gentian Salaj tha se përgjatë katër muajve, do të zhvillohen takime me aktorë të interesit dhe autoritetet publike për të gjetur rrugët e zgjidhjes së shumë problemeve që u hasën gjatë fikjes së transmetimeve analoge ne Tiranë dhe Durrës.

Për kryetarin e Autoritetit të Medias Audiovizive, kërkesa e 4 anëtarëve të bordit për shkarkimin e tij është e pabazuar. Salaj sqaroi se nuk ka ndodhur asnjë veprim antikushtetues gjatë fikjes së transmetimeve analoge, dhe se e njëjta gjë është bërë edhe në rrethe të tjera. Sipas tij, anëtarët e bordit nuk mund të kenë qëndrim se ndërprerja e transmetimeve në Korçë e Fier ishte kushtetuese, dhe në Tiranë e Durrës jo.

Në 10 Shtator AMA ndërpreu transmetimet analoge në kryeqytet dhe Durrës, por për shkak të konfuzionit që ndodhi në pajisjen me dekodera shtyu dhe për 4 muaj të tjerë afatin e fikjes së tyre.

Tv Klan