Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka përdorur personazhin kryesor të fimit “Padrino” një mafioz sicilian në New York, Don Carleonen për të barazuar me të fituesen e zgjedhjeve të së dielës në Elbasan Ministren e Punës dhe të Çështjeve Sociale, Valentina Leskaj.

Me një fjalor nga më të ashprit të përdorur kohët e fundit, zoti Berisha ka deklaruar se disponon të gjitha dokumentet që provojnë se zonja Leskaj ka shpërndarë ndihma për banorët e zonës 52, duke vepruar në kundërshtim me Kodin Penal.

Duke e quajtur një fitore të pandershme zoti Berisha i ka kërkuar kryeministrit Nano shkarkimin e zonjës Leskaj për të mos shkuar më tej me dhunimin e marrëveshjes.

Sali Berisha: Në maskaradën elektorale qytetarët e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë panë Don Corleonen Alias Shehun, Dona Corleonen Alias Dona Leskaj në një moral të fëlliqur dhe akt të shëmtuar, të blejnë votat e qytetarëve shqiptarë. E konsideroj këtë akt dhunimin më flagrant, më të paturp, më të pacipë, më të papërgjegjshëm të marrëveshjes dhe të frymës së saj. Për ti kërkuar në mënyrë eksplicite kryetarit të qeverisë largimin urgjent nga qeveria të kësaj mafiozeje, e cila në një akt të shëmtuar publik dëshmoi se nuk ekziston normë morale për të.

Zoti Berisha i ka bërë thirrje edhe prokurorit të përgjithshëm që të hetojë, sipas tij, këtë akt të shëmtuar, për të mos lejuar ligjërimin e dhunimit publik të votës së shqiptarëve./tvklan.al