“Korrupsion dhe përdorim pushteti”, ish-kryeministri minoi demokracinë

Ish- kryeministri Sali Berisha së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij Shkëlzen dhe Argita, janë zyrtarisht në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpalljen non-grata të familjes Berisha e njoftoi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken bashkë me arsyet se ku bazohet ky vendim i SHBA.

“Veprimet e korruptuara të ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha minojnë demokracinë në Shqipëri.  Shpall publikisht si të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA Sali Berishën dhe anëtarët e afërt të familjes së tij. Ne mbetemi bashkë kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”

Në një raport më të detajuar, Departamenti Amerikan i Shtetit përcakton si motiv të shpalljes non grata të Sali Berishës dhe familjes së tij përfshirjen në korrupsion dhe përdorimin e pushtetit për të pasuruar familjen dhe aleatët e tij.

“Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në shpenzimet e besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë. Përveç Berishës, unë po caktoj publikisht si “non grata” bashkëshorten e tij, Liri Berishën, djalin, Shkelzen Berisha si edhe vajzën, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara.”

Vendimi për të shpallur non-grata në SHBA Sali Berishën dhe familjen e tij vjen pas funksioneve si një ish-president Republike, ish-kryeministër për 8 vite si dhe kryetar e udhëheqës i opozitës për dekada.

Më herët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur “non grata” familjarisht edhe politikanë të tjerë si Vangjush Dako apo Tom Doshi, me po të njëjtin motiviacion, korrupsion masiv.

Klan News