Opinion- Pavarësia e Kosovës është një ndër zhvillimet më të rëndësishme të shekullit që lidhet me historinë e shqiptarëve.

Sot ishte dita e fundit kur mund të arrihej një marrëveshje mes palëve, serbëve dhe shqiptarëve, por marrëveshja nuk u arrit ndaj duke filluar nga dita e nesërme kosovarët mund të shpallin pavarësinë e njëanshme.

Për të diskutuar lidhur me këtë zhvillim të fundit historik për historinë e vendit tonë ishin të ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, Hashim Thaci kryeministër i mandatuar i Kosovës dhe analistët Remzi Lani, Andi Bushati, Armand Shkullaku, Skënder Minxhozi.

“Nesër në mëngjes do të vazhdojmë me axhendën tonë të përkushtuar për pavarësinë e Kosovës për të ecur përpara. Kemi një qartësi më të madhe nga NATO dhe SHBA për të ecur përpara. Shumë shpejt do shkohet drejt vendimit për shpalljen e pavarësisë dhe shpalljen e institucioneve të reja”, tha Thaçi.

“Grupi i unitetit dorëzoi gjatë këtyre tre muajve një traktat me vizionin evropian të Kosovës dhe Rajonit. Pala serbe dihet që i ngurtësoi qëndrimet edhe më tej, por sidoqoftë deklaroi se heq dorë nga përdorimi i dhunës për zgjidhjen e këtij problemi. Procesi i blerjes së kohës mori fund. Kosova nuk është e njëanshme në qëndrimin e saj por bazohet në një dokument që ka mbështetje botërore dhe veprimet që vijnë më pas sintonizohen me të gjithë faktorët që e konsiderojnë këtë dokument madhor”, tha Berisha./tvklan.al

Të ftuar: Sali Berisha kryeministër i Shqipërisë, Hashim Thaci kryeministër i mandatuar i Kosovës.
Në studion e Tiranës: Remzi Lani, Andi Bushati, Armand Shkullaku, Skënder Minxhozi.
Në studion e Prishtinës: Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Sylejman Shaqiri.
Në studion e Maqedonisë: Muhamet Zeqiri.