Gjatë ditës refuzoi të merrte dijeni për vendimet e zbardhura të GJKKO

Ish-kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet avokatëve të tij dorëzoi këtë të Hënë ankim të plotë kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme që caktoi dhe më pas miratoi ndaj tij, masat e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” dhe “Ndalim dalje jashtë vendit”.

Dorëzimi i këtij ankimi i jep fund një sage me njoftimet dhe mos marrjen dijeni apo mos pranimin nga ana e ish-kryeministrit të njihet me vendimin e masës së sigurisë.

Gjatë ditës, Gjykata e Posaçme dërgoi me postë në tre adresa, pranë selisë së PD-së, në adresën e shtëpisë, pranë Kuvendit të Shqipërisë, dËftesat e komunikimit, thënë ndryshe shkresat për vënie në dijeni të ish- kryeministrit Berisha për vendimet dhe zbardhjen e tyre, të cilat u kthyen pas me nënshkrimin ‘Refuzuar’.

Gjithashtu u dërguan dëftesat e komunikimit edhe avokatëve mbrojtës, përfaqësues të tij me prokurë të posaçme. Gjykata i dërgoi të njëjtën shkresë edhe avokatëve të ish-kryeministrit, Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj, të cilët në orën 15:50 minuta të kësaj të hëne dorëzuan në sekretarinë e Gjykatës ankimin e plotë kundër vendimit.

Tashmë beteja e radhës do të zhvillohet në Gjykatën e Apelit, e cila pritet që pas administrimit  të ankimit të caktojë gjyqtarin dhe datën e shqyrtimit të ankimit për shuarje të masave të lëshuara.

Vetë ish-kryeministri i ka konsideruar ato si anti-kushtetuese sa kohë janë marrë pa leje në Kuvend siç detyron ligji kur një person gëzon imunitetin e deputetit.

Klan News