Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë shtypi thotë se Radio Televizioni Shqiptar ka disinformuar opinionin publik për pjesëmarrjen e tij në kongresin e demokristianëve në Madrit ku është thënë që lideri Berisha nuk ka qënë i ftuar në kongres.

Ndaj kësaj akuze e cila mban poshtë firmën e presidentit të internacionales Ruperez, Berisha ka paraqitur sot para gazetarëve argumentet e tij. Ai bëri publike ftesën e kristiandemokratëve me anë të së cilës i kërkohej pjesëmarrja në cilësinë e të ftuarit special.

Berisha tha më pas se përsa i përket bashkimit kristiandemokratë europianë, Partia Demokratike është anëtare e saj që nga viti 1995 me të drejta të plota. Ndërkohë që për arsye që nuk kanë të bëjnë aspak me politikën ajo ende nuk bën pjesë në Internacionalen Demokrate.

Më pas Berisha tha se kishte marrë pjesë dhe në seancën e kongresit në të cilën kishte denoncuar gjithçka që ndodh në Shqipëri. Ai përmendi në fund dhe iniciativën e Roko Butiliones dhe rezolutën e firmosur nga 38 partitë sipas së cilës, Kushtetuta e socialistëve kishte shumë të meta dhe mangësi./tvklan.al