Protesta e opozitës ditën e shtunë  (16 Shkurt) ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare. Ish lideri demokrat Sali Berisha  në një intervistë për italianen “Il Messaggero” shprehet se vendi është në dorë të narko-politikës.

Berisha thotë se dy kryeqytet protestojnë sot: 

“Ka dy kryeqytet që protestojnë sot: Karakas kundër Maduro dhe Tirana kundër Edi Rama. Në Tiranë sot qeverisin banditë e drogës”.

Intervista e plotë

President cila është arsyeja e protestës?

Sali Berisha: Para së gjithash kjo është një protestë kundër narkoshtetit që vepron në Shqipëri, që nuk ndjek asnjë rregull ligjor e ku trafikantët e trafiku i drogës vendos për të gjithë e për gjithçka. Por arsyeja themelore e protestës është shkelja masive e rregullave zgjedhore, e dënuar dhe nga komuniteti ndërkombëtar në raportin e OSBE, ku thuhet se në 20% të rasteve është blerë vota. Rreth 2 muaj më parë është bërë pjesërisht publike dosja me mijëra përgjime të ministrave e të kryetarëve të bashkisë së narko partisë e narko shtetit të Edi Ramës ku shfaqen infiltrime kriminale në rrethe të ndryshme për të blerë votën e për të imponuar rezultate të përcaktuara.

Cila është baza e këtyre akuzave?

Sali Berisha: Ajo që po them është e provuar. Janë përfshirë ish ministri i Energjisë dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, bashkëpunëtor i afërt me Edi Ramën, që kishin interes të kontrollonin votën në Durrës përmes bandave, që janë nga më të ashprat në vend. Rezultati i zgjedhjeve u përmbys nga kërcënimet e nga paratë e drogës në të paktën 5 rrethe. Ky dosier i publikuar nga Zëri i Amerikës është në duart e Prokurorisë shqiptare.

Çfarë i kërkoni Edi Ramës?

Sali Berisha:  Të largohet, të lejojë krijimin e një qeverie të përkohshme me mandatin e përgatitjes së zgjedhjeve të lira për të garantuar paqen sociale në Shqipëri. Dy vjet më parë në 19 Maj ne kemi nënshkruar një marrëveshje për të shkuar në zgjedhje por ai nuk e respektoj atë. Me Ramën nuk ka  zgjedhje të lira. Beteja është e vështirë, por këto protesta kanë qenë një mësim i mirë dhe shpresoj që Rama të kuptojë, përndryshe do të ketë ditë të vështira, njerëzit do ta vrasin e do ta hedhin në lumë.

Komuniteti ndërkombëtar ka dënuar dhunën…

Sali Berisha: Dhuna e vërtetë është të dhunosh të drejtën e votës. Protestat do të vazhdojnë derisa të pranohen kërkesat tona. Kthim pas nuk ka. Nuk janë më studentët që protestojnë por janë qytetarët, Situata është kritike.

Edi Rama është kryeministër, arkitekt dhe artist i hapur ndaj Europës?

Sali Berisha:  Është vetëm një iluzion, Edi Rama është njeriu që ka protestuar hapur kundër pranimit të Tiranës në NATO. Ka bllokuar për dy vite statusin e kandidatit të Shqipërisë në BE, pasi nuk votonte 3 ligjet për të cilat erdhi më pas konsensusi i Komisionit Europian. Nuk respekton asnjë rregull europian. Ka lidhje të ngushta me kriminelët e trafikun e drogës. Kultivon idenë e vjetër të komunistëve shqiptarë “të krimit të dobishëm”. Është pasardhës i nomenklaturërs së lartë komuniste të Enver Hoxhës e babai i tij ishte në Presidium e ka firmosur varjen e një poeti dezident.

Çfarë programi ka opozita?

Sali Berisha: Integrimin Europian, pra një demokraci e një ekonomi tregu funksionale. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të respektuar shtetin e së drejtës e për të luftuar kriminalitetin. Edi Rama i ka hapur parlamentin vrasësve. Dalja ime nga skena është pa kthim, por do bëj gjithçka që t’i bëj shqiptarët të votojnë si të gjithë qytetarët europianë. Jemi i vetmi vend në Europë me një gjysmë diktaturë si në Venezuelë./tvklan.al