Profesor Doktor dhe ish-Kryeministri Sali Berisha ka treguar se Shqipëria duhet të ishte përgatitur për këtë epidemi. Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha renditi 4 pika.

“Që nga momenti që u shfaq në Kinë, Shqipëria kishte 2 muaj kohë dhe kjo fazë ishte jashtëzakonisht e çmuar. Çfarë përgatitjesh duhet të bënte Shqipëria? Të blinte teste! Së dyti të blinte uniformat dhe çdo gjë që duhej për mjekët. Së treti, të gjurmonte çdo rast të mundshëm që vinte nga Kina, më vonë nga Italia, për ta futur në karantinë. Së katërti, të parashikonte kontigjencat, shtretërit”.

Ish-Kryeministri Berisha shprehet i bindur se vendi ynë mund ta përballojë me sukses këtë pandemi, ashtu sikundër çdo shtet, nëse do të kishte respektuar “ligjet” e shëndetësisë.

“Shqipëria mund të përballej me sukses absolutisht pothuaj njësoj me çdo vend tjetër. Por çdo epidemi janë disa faza. Kjo epidemi nuk nisi në Shqipëri. Faturën e madhe e mori Kina. Por Kina i dha njerëzimit mësime të çmuara si duhen të mbrohen. Shpesh shoh nëpër rrjete ne s’jemi Gjermani. Për të luftuar një epidemi nuk duhen as anije kozmike, as raketa. Ajo ka disa ligje. Ligji i parë i saj në qoftë se u shfaq në Kinë, ishte masat përgatitore që duhet të merrte çdo qeveri dhe qeveria shqiptare, e cila do vinte në Shqipëri. Ajo epidemi do vinte. Kjo është sëmundje e vendeve të pasura, është faturë e madhe e pakujdesisë së tyre. Vendet përgatiten për luftën me shpenzime kolosale. Vendet kanë dhe duhet të kenë kontigjenca për të përballuar epidemi, dhe ky është një ligj që nuk është respektuar”.

Berisha shprehet se kjo është pandemia më e rëndë me të cilën po përballet Shqipëria dhe vendet e botës.

“Kurrë ndonjëherë. Jo vetëm unë, por asnjë njeri sot nuk ka patur një eksperiencë. Epidemi si kjo nuk ka parë bota. Gripi i Hong-Hongut nuk ka qenë i kësaj virulence. Nuk ka patur kurrë këtë agresivitet. Gjatë kohës që unë kam qenë mjek kanë qenë epidemi periodike të gripit, ka patur momente fruthi, ka patur kolerë, ka patur probleme tek neonatët në vitin 1970 që mori mbi 200 e ca foshnje dhe që u mbajt e fshehtë, ka patur në zona të caktuara epidemi të verdhëzës, por në kuadër pandemie si kjo nuk ka patur kurrë”.

Profesor Doktor Sali Berisha shprehet se vetë personalisht qëndron i izoluar duke respektuar rregullat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Blendi Fevziu: E respektoni karantinën?

Sali Berisha: E respektoj me bindjen më të thellë. Duhet të japim secili prej nesh ndihmesën tonë për ta mposhtur. Kjo është një porosi e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sa për të ngujuarin e Surrelit nuk dilja as te pragu i derës. Kjo është një porosi e prerë e OBSH, institucioni suprem shëndetësor në botë. Nuk kam frikë, realisht. /tvklan.al