Sali Berisha ka reaguar në rrjetet sociale pas debatit në “Opinion” ku po diskutohet tema “Interesi i Ramës, me Bashën apo Berishën?”. Berisha i ka kthyer përgjigje akuzave se ka lidhje me krimin dhe thotë se tani po merret më fuqishëm se kurrë në jetën e tij me botën e krimit.  

Ish-Kryeministri shprehet se tani është përqendruar për t’u marrë me “organizatën kriminale që ka goditur pluralizmin politik”. Dhe kjo sipas Berishës përbëhet nga Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Lideri historik i demokratëve tha se Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Basha më 18 Dhjetor është ideuar nga Rama.

Berisha shprehet i bindur se Kuvendi do të zhvillohet më 11 Dhjetor dhe nuk është i përjashtuar as Basha.

Postimi i plotë i Berishës:

Duke ndjekur Opinion!

Miq, lidhur me akuzat e Kreut të Meduzës dhe peng Bashës për heshtjen time ndaj krimit madje lidhje të pretenduara prej tyre, shtoj sa vijon:

Unë tani po merrem më fuqishëm se kurrë në jetën time politike me botën e krimit. Me kreun e Meduzës dhe pengun e tij, Lulzim Basha, krimi ka hierarkinë e tij. Askush nuk është marrë më shumë se unë me kreun e meduzës dhe ushtarët e tij. Por tani përqendrimi im është total në organizatën me kriminale në Shqipëri, Ballkan dhe Europë që ka goditur pluralizmin politik dhe ky klan është klani Rama dhe “peng-Basha”. Ky i fundit gabon, se po të hyj pastaj me ushtarë e nxjerr me këpucë të kuqe.

Tani po merrem me balozët e krimit monstruoz politik. A ka krim më të shëmtuar sesa të zëvendësosh pluralizmin politik me pseudo pluralizmin apo fasad pluralizmin. Uragani “foltore” shkatërroi projektin e tyre të shëmtuar. Shfrytëzoj rastin të përshëndes kryetarët e degëve, 20 prej të cilëve bojkotuan mbledhjen e “peng-kryetarit” 30 prej tyre hodhën poshtë me heshtje kërkesat e pengkryetarit për antimitingun e datës 18 Dhjetor ngjarja më e turpshme në 30 vite pluralizëm. Unë i përgëzoj ata. Janë dhe do jenë të respektuar.

Natyrisht pati një grup të vogël i cili mbajti qëndrim pro Bashës, por kjo nuk i pengon ata të jenë të pranishëm në Kuvendin e datës 11 Dhjetor. Nuk besoj t’i lejojnë vetes turpin historik, të bashkohen me antimitingun e shoqatës Basha-Bardhi të ideuar nga Kreu i Meduzës. Me datë 11 Dhjetor PD ngrihet më e fuqishme se kurrë. Nuk janë të përjashtuar as Basha dhe as Bardhi. Ata do të krijojnë Shoqatën Basha – Bardhi për t’i bërë fresk kreut të Meduzës! Sb

/tvklan.al